Gazetari Vladimir Muçaj me eksperiencë 19 vjeçare, thotë se është kërcënuar nga deputetja e PS-së në Fier, Adelina Rista, lidhur me një artikull që ai ka publikuar në portalin ku punon.
I kontaktuar nga Hashtag.al, Muçaj sqaron debatin me deputeten Rista dhe 3 telefonatat kërcënuese që sipas tij janë bërë pikërisht nga deputetja e Fierit.
“Telefonata e parë në 22.20. Nuk tha as mirmbrëma as përshëndetje fare, por nisi direkt: ‘Adelina Rista jam…’ dhe filloi më tej. Tha se ‘unë nuk e kam lexuar kronikën’ dhe vijoi me ‘kush të lexon ty? Gazetar i dështuar, nuk ul dot figurën time. Më rreshto nesër, po nesër nesër në gjykatë 11 njerezit që unë kam punësuar”, e nis tregimin Muçaj i cili aktualisht punon për një portal online.
Sipas gazetarit Muçaj, deputetja Rista e ka kërcënuar me tone të ashpra ndërsa i thoshte se do e çojë në gjykatë, sepse sipas saj i kishte prishur imazhin.
‘Në telefonatën e fundit, Rista kapërcen në fjalor.. ‘Je i blerë, të kanë paguar për të më prish imazhin. Gazetaruc do të tërheq zvarrë për leckash etj, etj.
Nuk e di pse në telefonatën e dytë ajo shpërtheu aq shumë. Fyerjet, kërcënimet ishin kaluar ndonjë personazhi në rrugë të madhe. Fyerje pa limit për mua dhe median ku unë punoj…’, tregon gazetari.
Po ashtu, gazetari sqaron se artikullin për të cilin është bërë debati e kishte publikuar jo për të akuzuar Ristën, por të denoncuar fenomenin e deputetëve që punësojnë njerëzit e vet, apo lobojnë tek ministrat e qeverisë për t’i punësuar.
‘Normale që ndikon tek ministrat apo duke lobuar dhe me deputetë të tjerë. Qëllimi im nuk ka qenë t’i numëroj njerëzit e punësuar aspak. Unë doja të bëja publik fenomenin. Ky ka qenë thelbi i qëllimit tim ndaj e bëra publike’, shprehet Muçaj për Hashtag.al.
Nga hulumtimi rezulton se me Ristën kanë të bëjnë një sërë të emëruarish së fundmi.
– Nevila Doko, Drejtoreshë e Spitalit Fier, kushërirë e parë me Adelina Ristën
– Aliosha Doko, shef kuadri në Albpetrol Fier, vëllai i Adelina Ristes
– Themie Doko, kryetare e Njësisë Administrative Libofshë
– Naun Doko, specialist në Policinë e Tiranës, burri i Themie Doko, ish-kryetar i komunës Libofshë, kushëri i parë i Adelina Ristës
– Ladi Doko, përgjegjës i mjedisit në Albpetrol kushëri me Adelina Ristën
– Enigert Doko, specialist në Ujësjellës Kanalizime Fier, kushëri i parë me Adelina Ristën, vëllai i drejtoreshës së spitalit Fier
– Sandër Doko, Drejtoria e Transportit Rrugor Fier, kushëri i Adelina Ristës
– Mirela Ndreko, shefe finance në policinë e qarkut Fierit kushëri me Adelian Ristën
– Juxhino Laska, Laborant pranë DSHP Fier, kushëri i dytë i Adelina Ristës
– Rovena Doko, drejtoreshë shkolle në Mbrostar, kushërirë e Adelina Ristës
INTERVISTA
Thoni se jeni kërcënuar nga deputetja e Fierit në telefon. Çfarë të tha tekstualisht deputete Rista? Në ç’orë të erdhi telefonata?
Mucaj: Telefonata e parë në 22.20. Nuk tha as mirmbrëma as përshëndetje fare, por nisi direkt: ‘Adelina Rista jam…’ dhe filloi më tej. Tha se ‘unë nuk e kam lexuar kronikën’ dhe vijoi me ‘kush të lexon ty? Gazetar i dështuar, nuk ul dot figurën time. Më rreshto nesër, po nesër, nesër në gjykatë 11 njerëzit që unë kam punësuar.’ Ajo fliste dhe nuk linte hapësirë që dhe unë t’i jepja argumentat e mi për kronikën. Toni i komunikimit ishte shumë ashpër dhe fliste me një zë të çjerrë e të lartë.
Pas një pauze, një e afërt e saj, drejtoreshë spitali mori në telefon. Mu prezantua si Nevila Shuke. Edhe ajo ishte e shqetësuar nga kronika ime. Kjo me tone të lartë nuk fyeu, por kujtoi gjykatën të nesërmen në orën 8 dhe bëri leksion gazetarie se si unë të bëj kronikën.
Për çudi dhe kjo telefonuese nuk me la të flisja….
Më thoshte më ke përmend emrin, ke prish imazhin tim etj… Ndërkohë që zonja në fjalë ishte ekspozuar në një foto te kronika ime së bashku me deputeten në një takim elektoral. Drejtoresha e spitalit është kushërirë e deputetes.
I keni të regjistruara telefonatat?
Muçaj: Telefonatat janë të regjistruara. Pas telefonatës së Drejtoreshës së spitalit përsëri merr deputetja. Ora 22 44.
Çfarë ju tha deputetja për herë të dytë?
Muçaj: Në telefonatën e fundit, Rista kapërcen në fjalor.. ‘Je i blerë, të kanë paguar për të më prish imazhin. Gazetaruc do të tërheq zvarrë për leckash etj, etj.
Nuk e di pse në telefonatën e dytë ajo shpërtheu aq shumë. Fyerjet, kërcënimet ishin kaluar ndonjë personazhi në rrugë të madhe. Fyerje pa limit për mua dhe median ku unë punoj…
Të kthehemi te shkrimi dhe kronika për të cilën thoni se Rista ju ka kërcënuar. Cilët pozicione po vendos Rista, thua në Albpetrol, spital, njësi vendore…
Muçaj: Nga socialistë të thjeshtë kam mësuar, në Albpetrol ka vëllanë, në bashkinë Fier, në ish-komunën Libofshë, ku ka xhepa punësimi ajo ka çuar ka ndikuar për të vetët.
Në spitalin e Fierit drejtoreshë është kushërira që “fitoi”konkursin.
Sipas informacionit që ke, cila është skema që mendon se përdor Rista? Ndikon te drejtuesit në Tiranë? Ku?
Muçaj: Normale që ndikon tek ministrat apo duke lobuar dhe me deputetë të tjerë. Qëllimi im nuk ka qenë t’i numëroj njerëzit e punësuar aspak. Unë doja të bëja publik fenomenin. Ky ka qenë thelbi i qëllimit tim ndaj e bëra publike.
A dini të ketë deputetë të tjerë që ndikojnë në Fier?
Muçaj: Në informacionet e mia këta, dmth deputetët këtë punë bëjnë. Unë them që vuajnë nga i njëjti infeksion. Shikojnë se si të punësojnë rreth oborrit të tyre. Po le të presim këtu jemi, ndoshta unë do të merrem gjatë, jo me deputetët por me fenomenin.
VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Hashtag.al
(F.G/Faxweb)