Nga Bledian Koka
E takova për herë të parë personalisht Ramush Haradinajn diku nga mesi i vitit të shkuar. Ditëlindja e një mikeje tonë të përbashkët “na uli në një sofër” ndërsa diku nga fundi i festës u shkëputëm me Ramushin e dy miq të tjerë në verandën e lokalit për tu folur “diqysh ma qet”.
Ishte koha e protestave kundër demarkacionit. Na tha që “ska shonc me kalue” ajo ndarje e turpshme e deri tash ashtu ka ndodh. Pas pak minutash bashkëshortja e tij Anita erdhi e na e mori Ramushin, me të drejtën e njerëzve që do udhëtonin për gjithë natën nga Tirana në Prishtinë.
Unë nuk jam nga ato që kërkoj të bëj foto me njerëzit e shfaqur, por me Ramushin e doja një dhe ia kërkova një foto. E doja një kujtim jo me politikanin, por me luftëtarin e lirisë, doja një foto jo me ish-kryeministrin, por me përfaqësuesin e një familje që gjak e shpirt dha për Kosovën e lirë. Doja një foto me të mërguarin që u kthye në atdhe, me atdhetarin që luftoi, me luftëtarin që triumfoi, me triumfatorin që udhëhoqi, me udhëheqësin që u gjykua, me të gjykuarin që rezultoi i pafajshëm, e me të pafajshmin që sot është prap në burg!…
O zot sa histori në një njeri, e një njeri i madh sa një histori. Ky është Ramush Haradinaj, prandaj arrestimi i tij është sa një turp për Francën aq edhe për Shqipërinë e Kosovën, që mbyllin gojë e veshë e veç bëjnë sehir.
E sot për një ditë Ramushi i madh e unë njeriu i thjeshtë jemi njësoj, të dy sot jemi të tradhëtuar, ai nga Kosova e unë nga Shqipëria që nuk bzan për turp. Heshtja ndaj vendimit monstruoz të një gjykate anonime franceze ndaj një shqiptari për llogari të serbit, nuk është një histori e panjohur për ne. Por ajo që më gëzon në fund të ditës, është se Ramushi në fund do të triumfojë për të vetmin faj që ka, që s’ka asnjë faj!…
p.s…por si për ne në Kosovë ashtu edhe për në ne Shqipëri, ky akt duhet të shërbejë të kuptojmë njëherë e mirë se këta që zgjodhëm të na qeverisin, na kanë tradhëtu që ditën që vunë këmbën në pushtet, na tradhëtun edhe sot, e ashtu si edhe neve, ata tradhëtun edhe Ramush Haradinajn!…