Procesi i rindërtimit vijon të mbetet problem për banorët e Durrësit që u prekën nga tërmeti i Nëntorit 2019. Vazhdimisht ka protesta për shqetësimet të ndryshme që janë krijuar nga zvarritjet e punimeve.
Këtë të martë kanë qenë banorët e pallatit 32 në lagjen “Hysen Kërtusha” të cilët kanë protestuar, me të drejtë para, bashkisë Durrës për shkak se janë njoftuar se 40 familjet që banojnë në këtë pallat do të vendosen në banesat e reja të ndërtuara në periferi të qytetit. Banorët janë kundër këtij vendimi pasi iu duket i padrejtë. Ata shprehen se institucionet e e vënë në zbatim këtë ligj vetëm në rastet e pallateve ose banesave në të cilat pati humbje jete.
“Ka dy vite që është shembur nga shteti brenda rregullave dhe ne na është thënë dhe me vendim të këshillit bashkiak që do ndërtohet te ky vend dhe të gjithë kemi pritur të fillojnë punimet. Kur vijmë tani e interesohemi, na thonë se do shpërngulemi te lagjia e re në Spitallë. Absolutisht nuk kemi nënshkruar kontratë. Tani të vrasim veten, çfarë të bëjmë. Ne madje erdhëm u interesuam vetë se nuk na njofton njeri”-u shpreh njëri prej banorëve.
Nga ana tjetër banorët nuk kanë asnjë informacion apo shkresë zyrtare e cila u tregon se çfarë do të ndodh me trualline tyre, nëse do të kompensohen apo jo, apo do shfrytëzohet për ndërtimin e një pallati të ri.
Përveç këtyre familjet ngrenë shqetësimin për bonusin e qirasë, i cili vonohet vazhdimisht. Banorët shprehen se u është dashur të marrin borxh për të shlyer qiratë.