Deputeti i PD Xhelal Mziu komentoi sot në studion e Faxnews, incidentet që u regjistruan në seancën plenare, e cila zgjati vetëm disa minuta.
Për moderatorin Egon Loli, Mziu tha se është skandaloze dhe e turpshme, se si garda ka ushtruar kontroll ndaj deputetëve, teksa numri i tyre është rritur ndjeshëm muajt e fundit gjatë seancave plenare.
Madje Mziu tregoi edhe për bisedat private me disa prej deputetëve të PS, që sipas tij i kanë konsideruar anormale këto sjellje.
“Ka më shumë se 2 muaj që vazhdon kjo situatë. Në cdo seanca që shkojmë Garda ka filluar rekrutime te reja, ka figura të reja. Ca persona nuk e dinë se cili është funksioni i tyre, kanë filluar të marrin edhe nga ata patronazhistët. Ka një gardh policor, e cila ushtron kontroll ndaj deputeteve, që nga skanimi, kontrolli për tu fuur brenda, kjo është e pajustifikueshme.
Në sallë shohim pafundësisht gardistë, 60-70 që janë rreshtuar atje përpara. Të duket si një situatë lufte, një skenë e mirëorganizuar nga zoti Rama. Është e turpshme, skandaloze. Unë nuk e kuptoj se sa arrogante është kjo mazhorancë. Shumica e deputetëve të PS edhe në biseda normale e quajnë anormale këtë sjellje. Ajo që kërkojmë ne është një gjë elementare”– tha mes të tjerash Xhelal Mziu.