Finalizohet operacioni për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të shtetasit D. H., i cili dyshohet se mbikëqyrte rrugën ku kalonte furgoni, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, në zbatim të detyrave dhe planit të hartuar nga Policia e Shtetit, ka intensifikuar përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin me partnerët, me synim identifikimin e individëve dhe grupeve kriminale të origjinës dhe tranzitit të kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm. Këto masa të rëndësishme forcojnë edhe më tepër sigurinë në Shqipëri, vendet fqinje dhe vendet e Bashkimit Europian.
DVP Gjirokastër dhe Policia e Shtetit në tërësi shprehin angazhimin maksimal për vazhdimin e hetimeve dhe operacionet kundër grupeve kriminale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.