Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka ftuar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën në një debat publik, teksa e ka quajtur “argat i Millosheviçit”.
Ndërkohë që Berisha e quan vazhdimisht Thaçin “Aleksander Vuçiçitn”, duke refuzuar t’ia thotë emrin, Presidenti i Kosovës i përmend vazhdimisht edhe emrin e babait.
Fillimisht Thaçi në emisionin “Open” tha se ka gabuar që e ka marrë seriozisht Berishën ndërkohë që shton se me të mund të përballet dhe të argumentojnë deklaratat publikisht.
“Edhe pse më ka burgosur edhe bashkëluftëtarët e mi, unë e kam respektuar dhe i kam shkuar në zyrë kur ishte i izoluar nga kombi dhe bashkësia ndërkombëtare në vitin ’99. E kam gjetur në gjendje të çakorduar mendërisht”, ka deklaruar Thaçi.
Presidenti thotë më tej se në Kosovë “e njohin Kanunin, e njohin Kushtetutën, dhe e njohin përballjen”.
“Berisha është argat i Sllobodan Millosheviçit prej 3 dekadash, bën përçarësin e politikës shqiptare, përqafon idetë antikombëtare dhe pengon të ardhmen zhvillimore të Shqipërisë”, theksoi Thaçi.
“Saliu ka qenë gjithmonë që Kosova të jetë autonomi kulturore nën Serbinë. Ai ka pasur vullnetin dhe ka treguar angazhim që Kosova të mbetet nën Serbi”, shtoi Thaçi, duke akuzuar se “Sali Ramë Berisha ka furnizuar Millosheviçin me kallashnikovë që të vazhdonte gjenocidin në Kosovë”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)