Puna e kryer nga Task-Forca e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizimeve për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, por edhe menaxhimin e situatës në terren, ka sjellë një përmirësimin të situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet, si dhe ndërgjegjësim të qytetarëve për vendosjen e matësve të ujit.
“Vetëm ditën e djeshme janë vendosur 211 matës të rinj, duke e çuar në total numrin e matësve të instaluar që nga ditët e para të nisjes së aksionit në 840. Gjithashtu, falë masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, të mërkurën janë lidhur 83 kontrata të reja, si dhe janë nënshkruar 45 aktmarrëveshje. Grupet e shpërndara në terren vijuan punën për marrjen e masave për shkak të thatësirës së zgjatur dhe temperaturave të larta, duke verifikuar 1053 raste, ku në fokus të punës së tyre ishte pikërisht shkëputja e çdo lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe të çdo rasti tjetër të abuzimit me ujin e pijshëm. Gjatë kontrolleve janë identifikuar dhe shkëputur 99 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 11 gjoba për familjarë dhe 15 të tjera për biznese të ndryshme. Një pjesë e këtyre rasteve janë referuar në organet ligj zbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.”, thuhet në njoftimin e bashkisë.
Po kështu kontrolli u bë në zonat: Yzberishtit, Babrrusë, Rr. “Dhimitër Kamarda”, Rr. “Ali Demi”, Rr. Kont Urani, Rr. Elbasanit, Rr. “Hoxha Tahsin”, zona e ish-Bllokut, Rr. M.Shyri, Liqeni i thatë, Rr. e Kosovarëve, zona e Qytetit Studenti, ish Parku i Autobusëve, si dhe në linjën e transmetimit DN 700 dhe DN 1000. (J.V/Shuplaka)