Në fshatin Imsht të Lushnjes prodhuesit e shalqirit janë ngritur në protestë sepse nuk po shesin atë që kanë mbjellë.
Tokat janë plot me prodhim i cili është në sezon vjeljeje. Për shkak të çmimit nën kosto, prodhuesit kanë bllokuar shitjen. Aktualisht shalqiri po tregtohet me 10 ose 9 lekë për kilogramë, çmim ky nën kosto.
Fermerët fajësojnë pikat e grumbullimit me pretendimin se bllokojnë qëllimisht mbledhjen e produktit për të ulur sa më shumë çmimin e prodhuesve dhe duke rritur fitimin e tregtarëve eksportues.
“Nuk po e shesim dot, ka ngelur malli aty. Kam 10 vite që kultivoj shalqirin e sot nga keqmenaxhimi i qeverisë, se kontrollon këto pikat na ka ngelë aty”-tha një nga fermerët.
Ky problem i përvitshëm në sektorin bujqësor nuk po gjen zgjidhje, ndaj fermerët e Imshtës kanë protestuar në qendër të fshatit. Ata kanë kërkuar ndihmën e deputetit Erjon Braçe, si zëri i vetëm në parlament që mbështet fermerët. Në intervistën e tij Z.Braçe fajëson ministrinë e bujqësisë dhe atë të financave si shkaktarë kryesorë të gjendjes së vështirë të fermerëve të Lushnjës. Madje Braçe kërkon nga qeveria të rishikohet subvencionimi i pikave të grumbullimit dhe të ndërtohen pika magazinimi të produkteve bujqësore nga vetë shteti.
“Problemet janë shumë të mëdha. Problemi i parë dhe themelor është ai që e thashë pardje dhe që vazhdoj ta theksoj, jemi në mes të 10 ditëshit, kur fillon loja thonë grumbulluesit. Mos grumbullo sot, mos grumbullo nesër, lëri tre ditë, lëri katër ditë pa grumbulluar shalqi me qëllim që çmimi të ulet poshtë.Po kur këta nuk marrin asnjëri faturë dhe qeveria gënjehet atje, organet fiskale gënjehen atje matanë me fatura që nuk bëhen në prezencë të këtyre, por bëhen nëpër zyrat e tyre për të justifikuar lojën atëherë Ministria e Financave duhet të jetë këtu”,-tha Braçe.
Zona e Imshtës është një ndër ekonomitë më të mëdha bujqësore të Lushnjës në kultivimin e shalqirit. Këto ditë prodhuesit janë duke kërkuar tregjet për shitje dhe për shkak të temperaturave të larta i gjithë shalqiri është në fazën e pjekjes së plotë e të menjëhershme. Nëse i gjithë ky prodhim nuk vilet, kalbja e tij do të ndodhë në ditët në vijim.