Nga të dhënat e Policisë, më shumë se 45 vjedhje janë bërë në Tiranë javën e fundit. Banka, dyqane, exchange dhe banesat kanë qënë objektet e grabitjeve.
Duke iu referuar të dhënave të Policisë së Tiranës, vjedhjet kryhen zakonisht natën.
Në të gjithë vendin javën e fundit kanë ndodhur rreth 100 grabitje.
Sipas denoncimeve në Polici, më shumë grabitje kanë ndodhur në Lezhë, Korçë dhe Tiranë.
Po sipas burimeve policore, rastet e grabitjeve në Lezhë, në Fushë-Krujë, Rrëshen dhe në një bankë në autostradën Tiranë-Durrës, janë kryer nga i njëjti grup. Janë 4 persona të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar për të kryer këto grabitje.
Policia nuk i ka identifikuar ende ata.
Grabitësit kanë në fokus bizneset dhe personat që kanë exchange. Në Fier grabitja e dyqanit të këmbimit valutor, përfundoi në vrasje, ndërsa në Delvinë u grabitën 2.5 milionë lekë të reja dhe autorët ende nuk janë zbuluar.
Shefat e komisariateve janë urdhëruar të zbardhin sa më shpejt grabitjet e ndodhura ditët e fundit. Pjesa më e madhe e vjedhjeve janë filmuar nga kamerat e sigurisë, por ende disa nga këto grabitje mbeten pa autorë.
Burimi: Shqiptarja.com