14:12 | 05/08/2025
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Sociale

Tupja denoncon rastin: “I ziu shteti ynë, edhe shkumësin ta shet për supostë”

00:01 | 12/12/2016
në Sociale, Te Fundit
0
Tupja denoncon rastin: “I ziu shteti ynë, edhe shkumësin ta shet për supostë”

Përkthyesi dhe shkrimtari i njohur, Edmond Tupja, ka denoncuar sot një rast kur mësuesit i kishin kërkuar nxënësve që t’i blinin vetë shkumësat për dërrasën e zezë. 

“Sot mund të pohoj, me plot gojën dhe bojën, se shkumësi i bardhë duhet paguar nga xhepi i nxënësve jo për dërrasën e zezë, por për të zezën dërrasë e për të ziun shtet tmerrësisht demokratik që kërkon t’u shesë prindërve të nxënësve jo vetëm sapunin për djathë e shkumën për ajkë, por edhe shkumësin për supostë”, shkruan Tupja në rubrikën e përjavshme “Vath në vesh”.

Tupja tregon se këtë histori e kishte dëgjuar teksa priste në radhë të merrte pensionin në bankë.

Shkrimi i plotë:

Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) na jep këtë përkufizim të fjalës “shkumës”: “lëndë gëlqerore që përdoret në industrinë kimike etj.; kallam i vogël prej kësaj lënde, që përdoret për të shkruar në dërrasë të zezë: shkumës i bardhë (me ngjyra)”. E kush nuk e njeh këtë shok të pandarë të nxënësve e të studentëve! Sigurisht, ai po përballet sot me rivalë të fortë si, për shembull, poëerpoint-i, megjithatë të paktën në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, shkumësi – ose tebeshiri siç thuhej ende në kohën kur vajta për herë të parë në shkollë – mbetet akoma një mjet shumë praktik për të shkruar në dërrasë të zezë apo edhe të gjelbër (sepse në tabela plastike të bardha sot shkruhet me markerë ngjyrash të ndryshme).

Nëse e fillova kështu këtë shkrim të përjavshëm, shkak u bë biseda që pata me një zonjë të re, tek prisja radhën në bankë për të marrë pensionin, e cila më mësoi se në shkollën e frekuentuar nga vajza e saj e vogël, mësuesja u kishte thënë nxënësve që shkumësat duhej t’i blinin vetë, si ata me ngjyra, ashtu edhe më të përdorshmit, d.m.th. të bardhët. Lexuesi im i rregullt, por edhe ai i çrregullt, mund të pyesin me të drejtë: “Nga ç’fshat i largët vinte ajo zonjë?”.

Po t’u thosha se vinte nga një fshat i humbur me dhjetë shtëpi dhe gjithsej pesë nxënës diku andej nga Vermoshi në Veri apo nga Gramozi në Jug, do t’i gënjeja; po t’u thosha se vinte nga një fshat i humbur me njëzet shtëpi dhe gjithsej dhjetë nxënës diku andej nga Mirdita apo nga Kurveleshi, përsëri do t’i gënjeja; po t’u thosha se vinte nga një tjetër fshat i humbur po me njëzet shtëpi dhe gjithsej po me dhjetë nxënës diku andej nga Martaneshi apo nga Mokra, sërish do t’i gënjeja; po t’u thosha se vinte nga një fshat jo aq i humbur me tridhjetë shtëpi dhe gjithsej njëzet nxënës diku andej nga Kruja apo Elbasani, prapë do t’i gënjeja.

“Oh, boll na e zgjate e na e bëre tërkuzë – do të më ndërprisnin ata njëzëri e me të njëjtin padurim –, e morëm vesh, nuk vinte nga ndonjë fshat, por nga ndonjë qytet rrethi!” Mua më vjen vërtet shumë keq që jam i shtrënguar t’i zhgënjej, por zonja në fjalë nuk vinte as nga Shkodra e as nga Gjirokastra, as nga Bajram Curri e as nga Vlora, as nga Korça e as nga Lezha, as nga Durrësi e as nga Elbasani. Ajo vinte… ajo vinte… Ajo vinte ose, më saktë, nuk vinte, por jetonte në… në KRY-E-QY-TET!!!

E pabesueshme! Sigurisht që lexuesi im i rregullt, por edhe ai i çrregullt, mund të mendojnë se ajo vërtet jeton në kryeqytet, por banon në lagjet e tij periferike, si Kombinati, Lapraka apo Kodra e Priftit. Përsëri më vjen vërtet shumë keq që jam i shtrënguar t’i zhgënjej, por zonja në fjalë nuk banonte as në Kombinat, as në Laprakë e as te Kodra e Priftit. Ajo banonte e sigurisht vazhdon të banojë fare pranë qendrës së Tiranës dhe shkolla e së bijës ndodhet jo më shumë se dyqind metra larg Bllokut të zhbllokuar prej gati një çerek shekulli.

Tani po përfitoj nga fakti që lexuesi im i rregullt, por edhe ai i çrregullt, kanë mbetur pa gojë nga ky lajm i pabesueshëm që vërteton katërcipërisht se Shqipëria jonë tmerrësisht demokratike dhe veçanërisht e rilindur është duke marshuar me hap fitimtar në drejtimin e duhur, po përfitoj, pra, për t’i sugjeruar modestisht Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë arsimore jo vetëm të kryeqytetit tonë arsimdashës e shkumëskursyer, por edhe të krejt qyteteve e fshatrave të vendit, që t’i urdhërojnë drejtoritë e shkollave nëntëvjeçare, të mesme e të larta t’i bindin plotësisht nxënësit e studentët që të blejnë me paratë e tyre jo vetëm shkumësat, por edhe ujin që përdorin sa herë shkojnë në nevojtore, si edhe ajrin që thithin e që, deri më sot, e kanë konsumuar dhe vazhdojnë ta konsumojnë falas e pa pikë turpi, madje pa më të voglën ndjenjë përgjegjësie qytetare, duke pakësuar kështu ndjeshëm sasinë e oksigjenit kombëtar.

Dikur, kur isha nxënës i ciklit të ulët të Shkollës së Kuqe në kryeqytet, kisha dëgjuar gjyshen t’i thoshte tim ati se paraja e bardhë duhet ruajtur për ditë të zezë dhe, për analogji, sot mund të pohoj, me plot gojën dhe bojën, se shkumësi i bardhë duhet paguar nga xhepi i nxënësve jo për dërrasën e zezë, por për të zezën dërrasë e për të ziun shtet tmerrësisht demokratik që kërkon t’u shesë prindërve të nxënësve jo vetëm sapunin për djathë e shkumën për ajkë, por edhe shkumësin për supostë.

Pas

Trump mohon akuzat e CIA-s: Qesharake!

Para

HOROSKOPI. 12/12/2016

Para
HOROSKOPI. 10/12/2016

HOROSKOPI. 12/12/2016

Discussion about this post

 



Të Fundit

Draft kundër cenimit të demokracisë, Zhllima: Burgim i përjetshëm për ligjet antikushtetuese

Tiranë/Vodhi një automjet në mesnatë për shitje pjesësh këmbimi, arrestohet 38-vjeçari me precedent penal

Vatër zjarri në Peqin, era e fortë dhe temperaturat e larta ndihmojnë përhapjen

Shpërthen bombola e gatimit në Kolonjë, dëmtohet 67-vjeçari

“Ministri i Jashtëm avokat i farsës elektorale”/ Berisha pas reagimit të Igli Hasanit: Letër misioneve mund t’iu dërgonte opozita, jo MPJ

Koçiu: 643 teknikë të shkencave mjekësor dhe 167 mjekë u punësuan në janar-qershor

Reagimi i Hasanit/ Berisha: Ministri i Jashtëm, ushtar dhe avokat i farsës elektorale të 11 majit. Letër misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë MPJ!

Dyshime se ishte i porositur/ Autori i shpërthimit me tritol në garazhin e Elvis Kosovës, pas ngjarjes është larguar jashtë vendit!

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama publikon pamjet nga heqja e strukturave në Tiranë: Ecim!

Mashtronte qytetarët për t’iu marrë para duke u prezantuar me identitet të rremë, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.