Trajneri i Turqisë, Senjol Gynesh, ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e muajt tetor, kundër Shqipërisë dhe Francës, të cilat janë sfida vendimtare për fatin e kësaj përfaqësueseje në rrugëtimin drejt Euro 2020. Ndeshja mes Turqisë dhe Shqipërisë do të luhet në 11 Tetor.
Nëse përfaqësuesja turke merr 2 fitore në këto sfida, atëherë pjesëmarrja në Europian do të jetë praktikisht e siguruar, ndaj trajneri Senjol Gynesh ka grumbulluar të gjithë emrat e “frikshëm”që ka në përbërje ky ekip, duke u besuar atyre fatin e përfaqësueses për takimet që kanë një rëndësi të veçantë.
Kështu, në prapavijë ka emra shumë të njohur si Çelik, Sojunçu, Ajhan apo Demiral. Mesfusha ka emra me peshë, mes të cilëve Jaziçi, Emre, Tufan e sidomos Çalhanoglu, i cili i jep fantazi këtij reparti.
Ndërkohë, në sulm ka vend për Jillmaz e Tosun, emra të cilët po bëjnë mirë përkatësisht me Beshiktash e Everton, pa harruar edhe më të rinjtë Unal të Vajadolid e Karaman të Dyseldorf. Me pak fjalë, Gynesh ka bërë gati “armët e rënda” për duelin me kuqezinjtë, të cilëve do t’u duhet të kalojnë medoemos këtë pengesë të vështirë nëse duan të mbajnë gjallë shanset e tyre për kualifikimin në Europian. /vipsport.al/