Policia e Elbasanit ka dhënë detaje lidhur me dy të miturit të cilët u gjetën të shtrirë në rrugë mbrëmjen e djeshme, pasi kishin konsumuar pije alkoolike në ambientet e një lokali.
Sipas Policisë dy 15-vjeçarët ishin dehur gjatë një feste ditëlindje, ndërsa është marrë masa dhe ndaj lokalit që kishte lejuar përdorimin e alkoolit nga mosha të tilla.
Burime bëjnë me dije se përveç alkolit, të miturit kanë konsumuar dhe hashash, ç’ka ka rënduar më tej gjendjen e tyre.
Njoftimi i policisë:
Mbrëmjen e djeshme, në Spitalin e Elbasanit, kanë shkuar për ndihmë mjekësore, dy të mitur të moshës 15 vjeç , banues në Elbasan. Dy 15 vjeçarët ishin në gjendje të dehur pasi në ambientet e një lokali në Qytetin e Elbasanit, gjatë një feste ditëlindjeje kishin konsumuar pije alkoolike.
Në zbatim të ligjit ” Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i pijeve alkoolike dhe energjike”, Inspektorati i Shtetëror Shëndetësor Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan i ka vendosur masë administrative këtij subjekti tregtar.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për vlerësim.