Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka konfiruar mandatin e Zef Hilës pas verifikimeve të bëra nga ana e prokurorisë.
Përgjigja e Prokurorisë se Hila nuk rezulton një person i dënuar për vepra penale brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bën që ai të marrë mandatin për të qenë deputet i ardhshëm në Kuvendin e Republikës.
Ishte sekretari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ylli Merkaj, ai i cili bëri publike përgjigjet që kanë ardhur nga tre institucionet, si drejtoria e Burgjeve, drejtoria e Gjendjes Civile dhe Prokuroria e Përgjithshme.
“Zef Hila ka depozituar në KQZ formularin e vetëdeklarimit ku nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me ndalimet nga ligji. Në përgjigje të shkresës së KQZ, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar ka një vendim të gjykatës së Shkodrës ku është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Drejtoria e Gjendjes Civile ka deklaruar se Hila nuk ka bërë ndryshim të gjeneraliteteve.
Hila nuk pëfshihet në kushtet e ndalimit të nenit 2 apo për moszgjedhshmërinë. Për këtë arsye KQZ ka miratuar listën e PD-AN në 12 qarqet. Duke qenë se prokuroria e përgjithshme pasi ka kryer verifikimet e nevojshme brenda vendit, referon se zoti Hila nuk është deklaruar fajtor për veprat penale dhe nuk ka indicie për dënim jashtë territorit të Shqipërisë”, u shpreh Merkaj.
Kujtojmë se Hila ishte renditur i 5-ti në listën e Partisë Demokratike në Shkodër. Qark ky, ku koalicioni PD-AN arriti të siguronte 5 mandate.