Një gazetare malazeze është plagosur mbrëmjen e djeshme me armë zjarri në hyrje të shtëpisë së saj në Podgoricë. Siç raportojnë mediat malazeze Olivera Lakiç u qëllua kur po kthehej nga puna nga persona ende të paidentifikuar.
Gazetarja u paraqit në spital rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, ku kishte marrë plagë në këmbë, por fatmirësisht ajo është jashtë rrezikut për jetën.
Gazeta malazeze Vijesti bëri të ditur që Lakic po merrej me raportimin e rasteve të kontrabandës së duhanit gjatë muajve të fundit – çështje të cilën ajo e kishte mbuluar edhe në të kaluarën.
Drejtori i kësaj gazete, Zeljko Ivanovic, tha sot që Mali i Zi është ‘shtet i mafisë’ dhe e përshkroi presidentin Milo Djukanovic si ‘patroni i kësaj mafie’.
“Mund të na vrisni të gjithëve, por një ditë të gjithë do të jepni përgjegjësi”, tha Ivanovic.
Gazetarja Lakiç kishte marrë edhe më parë kërcënime, madje ka qenë edhe e mbrojtur nga policia, por prej disa kohës ajo e kishte anuluar këtë siguri.
(B.H/Faxweb)