Policia e Beratit deklaroi mëngjesin e sotëm se kishte arrestuar dy persona, të cilët pasi ishin gjetur jashtë banesës gjatë orës së ndalimit policor kishin dhunuar efektivët policor që shkuan për t’i marrë në pyetje.
Familjarët e njërit prej të ndaluarve rrëzojnë deklaratën e policisë, duke dhënë për FaxNews një version tjetër të ngjarjes.
Sipas familjarëve dhe fqinjëve të cilët kanë qenë deshmitarë në vendngjarje, pohojnë se ishte policia ajo e cila i kishte dhunuar të rinjtë, ku njërit prej tyre, shtetasit Andrea Fusha, i kishte rënë të fikët pasi tre persona e kishin shtrirë përtokë dhe po e rrihnin brutalisht.
“Kjo është bluza ne djalit, çuni i vrarë aty nga shteti. Tre polica kishin venosur çunin poshtë, fut e bjerë. Çuni ra pa ndjenja dhe çuni ishte duke ardhur në shtëpi në atë moment dhe ora ishte 10:15. Pastaj i thira fqinjes. Andrea Fusha quhet djali”, tha e ëma e djalit Valentina Fusha.
Fqinja e të arrestuarit e cila shkoi e para në vendngjarje deklaron për FaxNews se ka marrë disa grushta nga efektivët policor në momentin që tenoti t’iu hiqte djalin nga duart.
“Në atë kohë që po qëllonte policia, unë e pashë gjendjen. Kam dal unë nga shtëpia e kam marrë djalin dhe i kam dhënë ujë se vdiq fëmija, kam ngrënë dhe grushtin nga policia. Shoferi i gjatë i policisë tha jepinin ujë se vdiq”, deklaroi fqinjja e cila shkoi e para në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i plotë: Berat
Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A.F., 21 vjeç dhe E. A., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat.
Këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar në rrugë mbrëmjen e djeshme, gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe në momentin që janë konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, i kanë kundërshtuar ata me dhunë.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.(F.M/Faxweb.al)