Gjykata e Tiranës ka dhënë sot dënimin për vrasësit e Marvi Mihalit.
Gjykata ka dënuar me 19 vite burg autorin e ngjarjes Dejvi Bitraj, ndërkohë me nga 12 vite burg Eugen Bitrajn, Marsel Allën dhe Kridens Allën.
Prindërit e Marvi Mihalit përmes avokatëve të tyre kanë kërkuar dënim me 35 vite secilin, 140 në total.
Dejvi Bitraj në seancën e kaluar ka pranuar autorësinë e krimit, dhe ka kërkuar që tre të rinjtë e tjerë të mos dënoheshin.
Pas dhënies së vendimit prindërit e Marvi Mihalit kanë pasur një reagim të fortë ku janë shprehur:
“Sot djalit tim i ka lëviz pllaka e mermerit në varr. Sa të kem jetë të gjithë ata që janë përlyer në këtë histori të ndryrë do të përgjigjen, kjo është tallje, ai e theri, i nguli thikën dhe gjykatësi ndryshon kualifikimin e vrasjes, heq paramendimin, lë vrasje në bashkëpunim me dashje, që të abuzojnë me vendimin.
Nuk i bëhet vonë që vdiq djali im, fatin tim të zi e provofshin gjykatësit, në radhë të parë”- tha nëna e Marvi Mihalit.
Ndërkohë që për mediat ka folur edhe babai, Pavllo Mihali: “Mallkimi i tim biri i ndjektë këta plehra, si i ndërrojnë falsifikimin, c’është kjo drejtësi”.
Vrasja e Marvi Mihalit
Marvi Mihali u vra pas një sherri banal për një karikues me datë 31 korrik 2017.
Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt, por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar te Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.
Mësohet se mes të rinjve të konfliktuar ka pasur një debat mes 19-vjeçarit Dejvi Bitraj dhe Marvi Mihalit (viktima) dhe mikut të këtij të fundit. Më pas, sherri ka percipituar pasi Dejvi Bitraj ka thirrur në ndihmë kushëririn e tij, Eugen Bitraj, 24 vjeç, i cili ka shkuar bashkë me 3 shokë të tjerë.
Pasi kanë rrahur Marvin në rrugicën para lokalit, Dejvi Bitraj e ka goditur me thikë në zemër duke i çarë aortën e zemrës. Marvin Mihali ndërroi jetë disa minuta më pas në spital.