‘’Unë nuk jam Ervin Salianji”, kjo ka qenë letra që mbante vetë deputeti i PD-së Salianji teksa mbërrinte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Ai së bashku me Enkelejd Alibeajn dhe Gazmend Bardhin do të pyeten në lidhje me pozicionin e tyre sa i përket audiopërgjimit ku implikohet vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj. Kjo ironi e zgjedhur nga Salianji bëhet në paralelizëm me pretendimet e Agron Xhafajt se nuk është zëri i tij në video.
Prokuroria e Krimeve të Rënda është ajo që ka marrë përsipër hetimet, edhe pse mungon protagonisti kryesor i historisë, Agron Xhafaj. Edhe pse ka nisur një hetim Xhafaj u largua drejt Italisë me supozimin për të kryer një dënim që kishte marrë rreth viteve 2000 për trafik droge.
Pretendimet e demokratëve dhe Olldashit janë se Agron Xhafaj e ka vijuar trafikun e drogës në Vlorë, pavarësisht se kishte një dënim të pakryer në Itali për trafik kokaine dhe heroine.
Nëse Xhafaj është apo jo zëri që dëgjohet në video ku flitet për pazare droge, është pak vështirë që të vërtetohet, pasi një ekspertizë e tillë do të kërkonte kohë.
Vetë Xhafaj para se të ikte në Itali ka lënë një material audio të zërit të tij, po sërish sipas ekspertëve, përmes solucioneve të ndryshme, tjetërsimi i zërit është tërësisht i mundshëm.
Kryeministri Rama u mjaftua me ‘’ekspertizën” e tij nga një agjensi anonime (nuk ka pranuar që të përmendë emrin) për të besuar te ministri i tij i brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe për ta konfirmuar atë në detyrë.
(E.K/FAXWEB.AL)