Policia e Kurbinit ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet të kenë lidhje me vdekjen e 16 vjeçarit në Laç.
Tre të arrestuarit lëviznin me një mjet tip benz pa targa.
Ata kanë postuar në rrjetet një video teksa qëllonin me armë.
Policia ka sekuestrua 19 gëzhoja dhe 1 fishek.
Dyshohet se vdekja e 16 vjeçarit K.Gj mund të ketë ardhur nga plumat e qëlluar nga të rinjtë.
NJOFTIMI I POLICISE PËR TRE TË ARRESTUARIT
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin, u bë arrestimi në flagrancë i tre shtetasve, si dhe shpallja në kërkim e një tjetri dhe konkretisht :
- Alban Lika, 25vjeç, banues në Kurbin.
- Ernis Lika, 20vjeç, banues në Kurbin.
- Arber Lika,18vjeç, banues në Kurbin.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 01.01.2018 në orën 00:30, këta tre shtetas dyshohet se duke lëvizur me automjetin tip Benz që drejtohej nga Alban Lika, në Sanxhak, kanë qëlluar me armë zjarri.
Automjetit ja kishin hequr targat kur kanë qëlluar me armë zjarri.
Në cilesinë e provës materiale u sekuestrua automjeti së bashku me targat të cilat u gjetën në bagazhin e automjetit, 19 gëzhoja dhe një fishek model 56, kalibri 7.62. mm.
——
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor
e shtetasit :
Gj.S., 23 vjeç, banues në Kurbin.
Shtetasi i lartpërmendur u shpall në kërkim nga Policia, pasi më datë 01.01.2018, rreth orës 00.25, duke drejtuar automjetin e tij tip Benz, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në qytetin e Laçit dhe më pas ka braktisur mjetin në një lavazh, dhe është larguar.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 fishekë luftarakë dhe një gëzhojë model 56 kalibri 7.62 mm.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për veprime të mëtejshme për veprat penale “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit “ dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 278 dhe 274 të Kodit Penal.
Në orët e para të mëngjesit, një 16 vjeçar është gjetur I vdekur në tarracën e shtëpisë së tij. Shtetasi i mitur K.GJ., 16 vjeç është gjetur i pajetë nga familjarët e tij, pak minuta pasi doli në tarracën e shtëpisë për të plasur fishekzjarre. Dyshohet se i mituri të jetë vrarë nga ndonjë plumb qorr, pasi në qytetin e Laçit janë rikthyer breshëritë e plumbave si në vitin 1997.
NJOFTIMI I POLICISE PËR VDEKJEN E 16 VJEÇARIT
Kurbin
Informacion paraprak
Me datë 01.01.2018, rreth 01:00 është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Laç, është dërguar nga familjarët pa shenja jete, shtetasi i mitur K.Gj. 16 vjeç, banues në Sanxhak – Kurbin.
Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se ky shtetas ka hipur në tarracë të shtëpisë për të plasur fishekzjarre, dhe është gjetur më pas nga familjarët në tarracë , pa shenja jete me një dëmtim në kokë.
Pritet ekspertiza mjeko – ligjore për përcaktimin e llojit të dëmtimit në kokë.
Grupi hetimor në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin , po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(F.M/Faxweb)