Qeveria ka vendosur që ta shpallë 29 Marsin ditë zie kombëtare, pas vdekjes së deputetit, ish-kryeministrit dhe ministrit, politikanit të njohur Bashkim Fino.
Në vendimin që mban firmën e kryeministrit Edi Rama, thuhet se në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri do të ulet në gjysmë shtize.
Homazhet në nderim të Finos do të mbahen sot nga ora 12:00-16:00, ndërkohë që qeveria merr përsipër të gjitha shpenzimet për ceremoninë mortore.
Bashkim Fino u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, në një spital privat në Tiranë, pasi nuk e fitoi dot betejën me Covid, ndërsa ishte infektuar rreth një muaj më parë.
Deputeti socialist është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke ndërprerë në mes rrugëtimin e tij politik, ndërsa ishte kandiduar i katërti në listat e qarkut të Fierit për zgjedhjet e 25 Prillit.
Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajturpo ashtu disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
(E.K/Faxweb.al)