Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e Klodian Rashës, nga ku është marrë i pandehur efektivi i Policisë Nevaldo Hajdaraj. Por mësohet se prokuroria do të veçojë dosjen për pistoletën që u gjet ditën kur ndodhi ngjarja, pasi derimë tani nuk është zbuluar asnjë lidhje mes saj, viktimës apo vetë efektivit të Policisë.
“Nuk ka asnjë të dhënë hetimore se kujt i përket pistoleta. Nuk ekziston asnjë gjurmë AND-je mbi personin që e ka përdorur”, bëjnë me dije burimet, ndërkohë që hetimi lidhur me këtë armë pritet të vijojë.
Në pistoletën tip “Zoraki” nuk janë gjetur shenja gishtërinjsh. Në deklarimet e dhëna për ngjarjen, punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj u shpreh se teksa po ndiqte Rashën, ai kishte futur dorën në brez dhe kishte nxjerrë një objekt në dukje si një armë. Po sipas tij, i riu i kishte thënë “mos më ndiq se të vras”.
Efektivi Nevaldo Hajdaraj u hetua fillimisht për “vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, por hetimi i çështjes dhe provat e siguruara diktuan ashpërsimin e akuzës në “vrasje me dashje”, që mund të çojë një dënim të tij deri me 20 vite burg.