Ivan Vejvoda, nga Instituti për Shkencat Humane në Vjenë, thotë se për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi.
Sipas tij, trysnia e bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën është e justifikueshme, marrë parasysh se vendimi për ta ndaluar dinarin serb, ishte i autoriteteve të Kosovës.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Vejvoda lë të kuptohet se Prishtina zyrtare duhet të konsultohet dhe t’i marrë parasysh këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.
“Qeveria e Kosovës mund të marrë çfarëdo vendimi që do, por ajo nuk jeton në vakum, jeton në juglindje të Evropës, me partnerë të cilët duan që ajo t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s”, thotë Vejvoda.
Sipas tij, vonesat në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për tokën e Manastirit të Deçanit, nuk i kanë ndihmuar imazhit të Kosovës.
“Trysnia që është bërë mbi Qeverinë e kryeministrit Kurti, po jep tani rezultate, sepse të qenët kundër ka çuar, padyshim, në rrugë qorre”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Vejvoda, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjendet aktualisht në Kosovë, me shpresën për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar pas ndalimit të dinarit serb në vend. A duhet që e gjithë trysnia për këtë çështje të ushtrohet vetëm mbi Kosovën?
Ivan Vejvoda: Ishte vendim i Qeverisë së Kosovës që, në mënyrë të papritur për disa, të dilte me këtë masë. Reagimet nga SHBA-ja dhe BE-ja ishin befasuese, po ashtu. Sipas tyre, vendimi nuk ishte i përgatitur mirë, nuk ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të, dhe nuk ishin ndërmarrë masa për periudhën e tranzicionit.
Andaj, mendoj se në këtë rast, barra e përgjegjësisë është më shumë mbi Prishtinën. Negociatorët ndërkombëtarë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që do të siguronte një tranzicion të qetë, e ku, padyshim, duhet të përfshihet edhe pala serbe.
Radio Evropa e Lirë: Por, Kosova thotë se është vendi i pavarur që vendos vetë për veten. Sipas jush, a duhet të marrë Kosova vendime pa u konsultuar me aleatët e saj të ngushtë?
Ivan Vejvoda: Kjo është një pyetje e duhur. Qeveria e Kosovës mund të marrë çfarëdo vendimi që do, por ajo nuk jeton në vakum, jeton në Evropë, në juglindje të Evropës, me partnerë të cilët duan që ajo t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s.
Natyrisht, SHBA-ja është një partnere e rëndësishme në këtë rast dhe nivelin e saj të pakënaqësisë e shprehu ndihmësi i sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se kjo nuk është mënyra se si trajtohet një partner dhe, pastaj, nuk merren parasysh as këshillat. Këtë po e përsërit tani edhe Escobar.
/REL