Kryebashkiaku Erion Veliaj në një prezantim të rradhës mbi transportin publik, bëri me dije se tashmë Tirana ka nevojë 290 autobusë urbanë. Ndër të tjera, ai bëri me dije se qytetarët që përdorin urbanët do të mundet të shpejti të përdorin biletën elektronike.
Një tjetër premtim i Veliajt ishte ai i qarkullimit të urbanëve gjatë gjithë kohës, 24 orë në 24 orë, në shërbim të qytetarëve.
“Sot emetohet bileta elektronike. Vendosja e saj është rrjedhim i Këshillit të Ministrave. Së shpejti do të ketë autobusë urbanë që do të punojnë 24 orë.”, u shpreh Veliaj.
Më tej, ai renditi investimet që Bashkia e Tiranës ka bërë në transportin publik duke renditur ndryshimet që kanë pësuar një sërë linjash urbane. Kryebashkiaku bëri me dije ndër të tjera se lidhur me linjën e ish-Kombinatit të Autotraktorëve, janë bashkuar në një dy linja gjysmake të mëparshme; është zgjatur linja e Porcelanit e cila shkon deri në Linzë pas kërkesave të qytetarëve; linja e Porcelanit është shtuar me 16 autobusa, ajo e Kasharit me 21 të tillë ndërsa linja e Unazës me 14 urbanë të rinj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se do të publikohet orari i ri për urbanët. Ai foli edhe për shtimin e autobusëve fizarmonikë. “Po punojmë për shtimin e autobusëve fizarmonikë. Në qarkullimin e tyre, do të ketë një urban linje normal i bashkërenduar me një urban fizarmonikë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ështtë gabim. Histeria nuk është zgjidhje. Veprimi është zgjidhje. Pjesa e pastërtisë në urbane nuk mund të jetë detyrë vetëm e bashkisë, është edhe detyrë e qytetarëve. Do të ketë masa shtrënguese për ata që do të ndotin urbanët. (XH.A/SHUPLAKA)