Një nga projektet më inovative për transportin publik në kryeqytet është ajo që njihet si “Bus Rapid Transit” (BRT), i cili do të prekë linjat kryesore të qytetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi në podcastin “Majtas”, se është e nevojshme që Tirana të zgjedhë atë që quhet “mass transit”, transportin masiv.
“Ajo që ne duam të bëjmë është ajo që quhet linjat e shpejta të autobusit. Duam të bëjmë disa gjëra. Së pari, autobusi të lëvizë më shpejt dhe të ketë sa më pak ndërprerje. Së dyti, të ketë më shumë volum në mbajtje, pra të jenë të gjithë autobusë të gjatë që të duken si një tram ose si një metro, pra të ketë shumë më shumë volum një autobus”, sqaroi Veliaj. Gjithashtu, ai tha se do të vazhdojë subvenciomi i biletave të autobusit për të bërë mundur përballimin e shërbimit për të gjitha shtresat. “Do të vazhdojë të jetë e përballueshme bileta, pra të vazhdojë subvencionimi i bashkisë, jo vetëm për shtresat në nevojë, por edhe ky 400 lekëshi sot është i subvencionuar sepse bileta reale do të ishte shumë më shumë. Sot është gjysmë euro në Prishtinë, dhe në vende të tjera akoma më lart, por po marr një tjetër qytet shqiptar në Kosovë. Kështu që në këtë sens ne duam që me ndërhyrjet që duam të bëjmë ne të ecim shumë më shpejt me autobus, të transportojmë shumë më shumë njerëz të njëjtën hapësirë kohore dhe ta fillojmë këtë me tre linjat e para”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës komentoi dhe idenë e ndërtimit të një trami në kryeqytet. “Ka shumë njerëz që thonë: Lali tani të gjitha i keni bërë, por duhet të bësh edhe këtë metronë. E di mo vëllai – u them- , por është 300 milionë euro 1 km. Kjo do të thotë që nëse do të bësh linjën Kinostudio-Kombinat duhet të lësh 3 miliardë euro dhe 10 vjet Tirana s’duhet të bëjë asgjë tjetër, të mos paguajë as çerdhe, kopshte, shkolla, të mos sjellë ujë, të mos ketë energji, pra sot me buxhetin që kemi është e pamundur. Megjithatë ajo që besoj është se do t’i lëmë Tiranës në këtë mandat të paktën një blueprint, një propozim për një metro që do ishte ideale për t’u implementuar ditën e parë që ne futemi në BE dhe kemi akses në fonde që janë sot përtej limiteve tona”, deklaroi Veliaj.
Duke u ndalur te parkimet në Tiranë, Kryebashkiaku nënvizoi se vite më parë ato menaxhoheshin nga ata që zaptonin me arka birre, ndërsa sot kjo situatë është komplet tjetër gjë. Ai siguroi se puna po vijon për rritjen e numrit të parkingjeve publike. “Ju kujtoj se para 10 vitesh parkingjet e Tiranës menaxhoheshin nga njerëz që vinin katër arka birre dhe secili kishte copat e veta dhe të gërvishte makinën po nuk pagove. Sot kjo situatë është komplet tjetër. Unë e di që s’do mjaftojë kurrë sepse nuk mjafton as në Nju Jork (Neë York) parkimi. Kjo është gjithmonë për qytetet një nga sfidat. Por, ne kemi shkuar nga zaptuesi i katër vendeve me arka birre, në parkingje nëntokësore te Sheshi Skënderbej, te Bulevardi i Ri, te Sheshi Italia, te 7 Xhuxhat. Do të bëjmë një tjetër parking publik te Pazari i Ri sepse është një nga zonat më të frekuentuara, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe te hyrja e Liqenit te Garda”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë e cilëson historinë e biçikletave si një nga historitë e suksesit të Tiranës. “Kur ti shkon në aksin kryesor të Bulevardit “Zogu i Parë”, e shikon se si ti me biçikletë shkon nga fillimi në fund në punë minutash, të mos them sekondash, në varësi të shpejtësisë, dhe në makinë ti do ndalosh 4-5 semaforë. Është e dukshme, është një nga ato eksperimente ku ti je më i shpejtë, më i sigurt, sepse je mes pemëve dhe nga ana estetike dhe e shëndetit, të gjitha plus. Kaluam nga 1% e publikut që përdor biçikletë, në 10% . Unë e kuptoj që shumë njerëz thonë 10% nuk është asgjë, imagjino të ishin dhe këta me makina, sa do ishte trafiku”, u shpreh Veliaj.