Pas vendimit të ndërmarrë nga Kolegji Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, për të folur në lidhje me këtë vendim, por edhe mundësit që i mbeten Presidentit për zgjidhjen e krizës, në studion e FaxNews pasditen e sotme ka qenë i ftuar profesori dhe juristi i së drejtës kushtetuese Jordan Daci.
Në një intervistë me gazetaren Klaudja Karabolli, Daci është shprehur se vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor nuk është i ligjshëm për vetë faktin se të ndodhur përballë një dekreti të Presidentit për shfuqizimin e 30 Qershorit si ditë zgjedhjesh, vetë Kolegji si institucion nuk ka çfarë gjykon.
“Kolegji nuk është një Gjykatë e Përhershme në kuptimin që çdo ditë të gjykojë çështje, por thjesht gjykon çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Në momentin kur parashtrohet një çështje që ka të bëjë me zgjedhjet, por që ne nuk kemi zgjedhje, parimisht bie poshtë një vendim i tillë.
Dekreti i Presidentit është ende në fuqi dhe se nuk mund ta anulojë askush veç Gjykatës Kushtetuese, kështu që vetë Kolegji duhet të thoshte se nuk është e nevojshme që kjo parti të bëjë kërkesë për tu çrregjistruar nga zgjedhjet, pasi që nuk ka zgjedhje.”, ka thënë Daci.
Sipas konstitucionalistit Daci, e gjithë lëvizja e bërë me Kolegjin është një manovër proceduriale për të mbuluar veprimin antikushtetues të KQZ-së dhe për të përligjur kërkesën e mazhorancës për zhvillimin e zgjedhjeve.
“Vendimi i Kolegjit është një vendim qartësisht i paligjshëm, sepse as Kolegji, as KQZ-ja dhe as një institucion tjetër në Shqipëri përjashto Gjykatën Kushtetuese nuk ka të drejtën të gjykojë vendimin e jo më të arrijë në konkluzionin nëse është i drejtë apo jo.
Nga kjo pikëpamje, duket se mazhoranca kishte nevojë për një vendim që të çertifikonte 30 Qershorin si datë zgjedhjesh, dhe Kolegji ia dha këtë mundësi. Por unë mendojë se ky vendim nuk i mbulon ata dhe gjithë ato dëme dhe kosto financiare që duhet të mbulojë Shqipëria, të cilat janë kosto e drejtëpërdrejtë e këtyre veprimeve të paligjshme, sidomos të anëtarëve të KQZ-së.”
Daci shprehet dakord më dekretin e Presidentit për anulimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh, ndërsa i pyetur për mundësit kushtetuese që Meta ka për të shpërndarë Parlamentin me 122 deputetët, thotë se: “Jam dakord me mënyrën se si ka vepruar deri tani, por dua po ashtu të shtojë se në situatën ku ne ndodhemi me 122 deputet, Presidenti i Republikës nuk i ka kompetencat për ta shpërndarë Parlamentin, kjo për arsye se Kuvendi përveç problemeve të rënda të legjitimitetit mbetet përfaqësues i sovranit, ne nuk mund ta zëvendësojmë. Ky është Kuvendi që ne kemi. Ne nuk e meritojmë atë, por pavarësisht ai nuk mund të zëvendësohet, dhe se përsa kohë të jetë në vijim të madatit, të gjitha veprimet do të kryen nga ky Kuvend.”
Sipas juristit Daci, e vetmja zgjidhje që mbetet është që të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për të plotësuar numrat në parlament nisur nga fakti se Parlamenti është një institucion kryesor, i lidhur me dy element kryesor: Përfaqësimin politik dhe pluralizmin.
Në fund të bisedës, i pyetur nëse do të kishte zgjedhje në 30 Qershor, Daci shprehet se po, referuar rrjedhës që po marrin ujrat, ndërsa ka një mesazh edhe për gjithë shqiptarët: “Ajo çka po shoh mendojë se në 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen. Unë shfrytëzojë këtë mundësi tju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që pavarësisht bindjeve të tyre politike, të shmangen nga aktet e dhunshme. Dhuna nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të Shqipërisë.”
Sipas Daçit zgjidhja e vetme e shqiptarëve është të mos marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa po ashtu një apel ka edhe për ndërkombëtarët: “Shpresoj që institucionet monitoruese, t’i monitorojnë këto momente dhe të nxjerrin rezultate të paanshme duke i shërbyer Shqipërisë edhe jo palëve politike që janë në konflikt.”,- ka thënë Daci
Biseda e plotë në studio:
Një koment në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Ka lidhje me një parti politike, por si mund ta shohim në këtë situatë politike vendimin?
Në situatën ku ne ndodhemi, mënyra se si kanë rrjedhur ngjarjet, mendojë se kjo ishte një kronikë, një vendim i paralajmëruar, i nevojshëm për të çertifikuar domosdoshmërisht qëndrimin e mazhorancës për mbajtjen e zgjedhjeve në datë 30.
Kam një rezervë të vogël, nuk mund të shprehem në terma absolute përsa i përket vendimit të Gjykatës, pasi në terma ligjorë nuk e kam lexuar vendimin, por në parim mendoj se ishte një vendim i gabuar.
Megjithatë, siç e thashë, duhet të lexojmë mendimin që të japim një mendim përfundimtar.
Çdo të thotë vendimi i Kolegjit Zgjedhor për 30 qershorin si datë zgjedhjesh, mbetet në fuqi deri në fund kjo datë?
Një lëvizje e tillë, e bërë nga partia që ka bërë ankimin është një lojë procedurale për të nxjerrë edhe Kolegjin mirë edhe të realizojë qëllimin. Ajo po përdoret si instrument në rastin konkret.
Mendoj që duke qenë se Gjykata zbaton parimin për gjithçka që kërkohet, edhe asgjë tjetër që nuk kërkohet nga palët nuk përfshihet në gjykim, mund të ndodhë që të jetë bërë një manovër e tillë që drejtëpërdrejtë edhe pse kjo është e papranueshme.
Gjithsesi përtej këtyre manovrave proceduriale, Gjykata Kolegjiale duhej të merrte një vendim të plotë dhe të gjithëanshëm me qëllim se nuk ka se si t’i anashkalojë faktet e njohura publikisht. Pra shprehimisht, edhe në qoftë se palët nuk kanë bërë ankim detyrimisht ne jemi pranë një fakti të njohur publikisht, ku ekziston një vendim, një dekret i Presidentit, i cili sot është në fuqi, që shfuqizon datën e zgjedhjeve.
Automatikisht ky Kolegj, referuar këtij fakti të njohur botërisht, që s’ka nevojë t’ia kërkojë dikush për ta gjykuar. Nuk mund të gjykojë një çështje për zgjedhjet kur nuk ka zgjedhje dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Kolegji nuk është një Gjykatë e Përhershme në kuptimin që çdo ditë të gjykojë çështje, por thjesht gjykon çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Në momentin kur parashtrohet një çështje që ka të bëjë me zgjedhjet, por që ne nuk kemi zgjedhje, parimisht bie poshtë një vendim i tillë. Po ashtu edhe në rrethana të tjera, ekziston një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, i cili thotë se Gjykata nuk duhet të kufizohet as në kërkimin edhe as në pretendimet e palëve, por që duhet të zbatojë në fund ligjin.
Dekreti i Presidentit është ende në fuqi dhe se nuk mund ta anulojë askush veç Gjykatës Kushtetuese, kështu që vetë Kolegji duhet të thoshte se nuk është e nevojshme që kjo parti të bëjë kërkesë për tu çrregjistruar nga zgjedhjet, pasi që nuk ka zgjedhje. Vetë dekreti i Presidentit e thotë një gjë të tillë.
Mendojë se ky Kolegj, në thelb pati një mundësi të artë që antarët të shënonin emrin në historinë e Shqipërisë, si autorët që shmangën një përplasje, por që nuk e bënë një gjë të tillë.
Në një moment kritik për Shqipërinë, këta gjyqtarë duhet të jepnin një mesazh se këtu ka shprese dhe se shteti i së drejtës dhe rendi kushtetues ka akoma mundësi të vendoset.
Ata nuk e bën një gjë të tillë duke e regjistruar veten në boshtin e së keqes, duke ju hequr mundësinë dhe shpresën shqiptarëve që të besojnë se këto Gjykata do të veprojnë në mënyrë të drejtë nonjëherë. Në një farë mënyre i jap të drejtë në këtë rast edhe mazhorancës dhe vettingut, që t’i shporr menjëherë këta gjyqtarë nga sistemi i drejtësisë sepse provojnë që janë vetëm mekanizma të pushtetit të kohës.
U pa Kolegji Zgjedhor si një mundësi që të shmangëte përplasjet në 30 Qershor,pas kësaj, në këto momente sa mundësi kanë mbetur në Shqipëri?
Vendimi i Kolegjit është një vendim qartësisht i paligjshëm, sepse as Kolegji, as KQZ-ja dhe as një institucion tjetër në Shqipëri përjashto Gjykatën Kushtetuese nuk ka të drejtën të gjykojë vendimin e jo më të arrijë në konkluzionin nëse është i drejtë apo jo.
Nga kjo pikëpamje, duket se mazhoranca kishte nevojë për një vendim që të çertifikonte 30 Qershorin si datë zgjedhjesh, dhe Kolegji ia dha këtë mundësi. Por unë mendojë se ky vendim nuk i mbulon ata dhe gjithë ato dëme dhe kosto financiare që duhet të mbulojë Shqipëria, të cilat janë kosto e drejtëpërdrejtë e këtyre veprimeve të paligjshme, sidomos të anëtarëve të KQZ-së.
Dekreti i Presidentit Meta për shfuqizimin e 30 Qershorit si datë zgjedhjesh është botuar edhe në Fletoren Zyrtare. Çfarë do të thotë kjo?
Kjo tregon që ai është një vendim i plotëfuqishëm që nuk vihet në dyshim edhe as duhet shtruar në dyshim. S’mund që akte të karakterit normativ, të mos zbatohen dhe të merren parasysh as nga KQZ-ja, as nga Parlamenti, për më tepër kur ky i fundit nxjerrë një rezolutë me shkelje të pastër të parimit të ndarjes së pushteteve ku thotë se nuk ka vlerë dekreti. Gjithë kjo lëvizje është e qartë se është bërë për t’i justifikuar veprimet e anëtarëve të KQZ-së për tu bërë mbrojtje juridike nga marrëzia që ata bën.
Çfarë përgjegjësie mund të kenë?
Unë mendojë se kjo është një përgjegjësi e pastër penale, por të jenë të sigurt që edhe në qoftë se drejtësia nuk do të veprojë, shqiptarët nuk do t’jua falin kurrë këtë atentat Kushtetues që kanë krijuar këta njerëz në bashkëpunim me mazhorancën.
Disa analistë referuar zgjidhjes së krizës, mendojnë se një mundësi që ka Presidenti është edhe shpërndarja e Parlamentit. A ka argumente në Kushtetutë referuar shpërndarjes së Parlamentit me 122 deputet?
Që kur është zgjedhur Meta në pushtet, vetë bindja ime personale ka dashur të jetë dakord me veprimet që ka bërë ai, flas jashtë ndikimeve politike, thjesht mendim i pastër profesional. E them këtë se jam dakord me mënyrën se si ka vepruar deri tani. Mirëpo, po ashtu dua të shtojë se në situatën ku ne ndodhemi me 122 deputet, Presidenti i Republikës nuk i ka kompetencat për ta shpërndarë Parlamentin, kjo për arsye se Kuvendi përveç problemeve të rënda të legjitimitetit mbetet përfaqësues i sovranit, ne nuk mund ta zëvendësojmë. Ky është Kuvendi që ne kemi. Ne nuk e meritojmë atë, por pavarësisht ai nuk mund të zëvendësohet, dhe se përsa kohë të jetë në vijim të madatit, të gjitha veprimet do të kryen nga ky Kuvend.
Kështu që në këtë kuptim mënyra e vetme në kushte ekstreme që mund të përdoret nga Presidenti është pikërisht zgjedhje të pjesshme, të cilat do të bëheshin garim në nivel qarku për të plotësuar këto vende bosh.
140 deputet nuk janë thjeshtë numër, por kjo lidhet me pluralizmin politik dhe duke qenë se ne flasim për një demokraci përfaqësuese, një pjesë e popullsisë shqiptare janë të papërfaqësuar duke e bërë Kuvendin ilegjitim.
Në qoftë se Parlamenti vijon kështu, Meta edhe mund të marri vendimin ekstrem.
Ka disa debate se nëse duhen gjatë gjithë kohës 140 deputetë, apo duhet ky numër vetëm kur konstituohet parlamenti i ri. Mund të bëjmë një diferencim?
Siç e thashë, numri 140 lidhet me dy element kryesor Pluralizmin dhe Përfaqësimin politik.
Parlamenti që nuk është i plotë nuk mund të përfaqësojë të gjithë grupet e interesit dhe nuk mundet që të ruajë të gjithë ekujlibrat pasi që nuk funksionon pluralizmi, si rezultat nuk kemi një debat konstruktiv. Pra pluralizmi nuk është një nocion i thatë, por lidhet me nevojat e çdo grupi interesi për tu përfaqësuar, që ballafaqimi i interesave të shoqërisë të nxjerrë në pah interesin më të lartë të shoqërisë.
Ndërsa, asë dyti është çështja e përfaqësimit politik. Përsa i përket kësaj, mund të ndodh gjithmon që një drejtues politik të largohet nga posti për arsye të ndryshme, dhe këtu hynë në lojë pikërisht zëvendësimi.
Zëvendësimi këtu dështoi. I vetmi mekanizëm që mund ta zëvendësonte janë ose zgjedhjet e pjesshme ose shpërndarja e Parlamentit. Zëvendësimi i deputetëve i bërë më herët pas dorzimit të mandateve nga opozita nuk e realizojë 100% misionin e tij.
Ka edhe një precedent tjetër: zëvendësimi i deputetëve, apo edhe momenti ku deputetët i kanë djegur, pra i dorëzuan në bllok të gjitha mandatet. Ka një rregullore në Kuvend. Këshilli për rregulloren e mandatit kërkon të dëgjohen të gjitha arsyet e deputetëve. Kjo çështje është anashkaluar. Mund të jetë kjo arsye për Presidentin?
Presidenti në fakt ka lënë të kuptohet që ka rezerva për mënyrën e zëvendësimit të mandateve. Këtë e ka lënë të kuptohet qoftë me qëndrimet, qoftë me qasjen për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate. Në fakt sipas disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rregullorja e Kuvendit quhet një veprim Kushtetues, në këtë pikëpamje ka një vendim procedurial e karakterit rregullativ, i cili është neglizhuar ose anashkaluar, dhe që ngreh pikëpyetjet për procesin e zëvendësimit, por që tek e fundit edhe ky zëvendësim nuk mbetet në vlerësimin e Presidentit, por që do të duhej që edhe ky të ishte objekt i Gjykatës Kushtetuese. Siç ne themi që dekreti i Presidentit nuk gjykohet por zbatohet, e njëjta gjë ndodh edhe në këtë rast, nuk mund të gjykohet nga askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të duhej të qartësohej me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila mungon dhe për këtë arsye ne shohim një papërgjegjsmëri totale ndaj vetë Kushtetutës nga forcat qeverisëse në vend, të cilat i kanë dhënë një goditje të rëndë nocionit të së drejtës.
Në opinionin tuaj, ka apo nuk ka zgjedhje në 30 Qershor?
Sipas meje, nga ajo çka po shoh, mendoj se në 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen. Unë shfrytëzoj këtë mundësi t’ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që pavarësisht bindjeve të tyre politike, të shmangen nga aktet e dhunshme. Dhuna nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të Shqipërisë.
Mendoj se qytetarët të cilët janë të pakënaqur, që janë edhe shumica, kanë një instrument demokratik në dorë që është që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe se kjo është mënyra më e mirë për të treguar që kjo marrëzi nuk përkrahet nga shqiptarët. Unë jam i bindur që mospjesëmarrja në zgjedhje do të jetë masive dhe shpresoj që të mos kemi presione me votuesit që lidhen me administratën shtetërore, të cilat kanë filluar deri diku, për t’i nxjerrë me dhunë njerëzit në zgjedhje.
Shpresoj që institucionet monitoruese, t’i monitorojnë këto momente dhe të nxjerrin rezultate të paanëshme duke i shërbyer Shqipërisë edhe jo palëve politike që janë në konflikt.