Punëtorët e Rafinerisë së Ballshit, më shumë se çdo kategori tjetër kanë të drejtë të ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer me premtimet boshe të qeverisë Rama, që javë pas jave i gënjejnë me lugën bosh. Mashtrimin më të fundit e lanë përjetuar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe menaxhimin e situatës së koronavirusit, Arben Ahmetaj, i cili në emisionin Opinion, në datën 23 Prill deklaroi se naftëtarëve do t’iu jepej paga prej 40 mijë lekësh, vendim i cili do të ishte aktiv që të nesërmen.
Kanë kaluar më shumë se dy javë nga kjo deklaratë dhe 870 punëtorët e rafinerisë së Ballshit vazhdojnë të jenë në pritje, ndërsa familjet e tyre ndjejnë çdo ditë dhe më shumë mungesën e të ardhurave. Gjatë kësaj periudhe kanë ngritur zërin pa pushim për te marrë të drejtën. Ata thonë se e kanë ndërprerë punën që në muajin shtator dhe nuk kanë marrë asnjë pagë si të papunë.
Nga ana tjetër Ministri Ahmetaj po në të njëjtën dalje të tij u shpreh se brenda të njëjtit vendim është edhe kategoria e të gjitha familjeve që dikur kanë aplikuar për ndihmë ekonomike. Edhe pse u premtua shumë për ndihmë ndaj kësaj kategorie, naftëtarët vijojnë të mbeten në protestë pa asnjë të ardhur. Sipas tyre puna për nxjerrjen e naftës nuk lidhet me çmimin në bursë por me interesa të fshehta të kompanive që i shfrytëzojnë resurset e nëntokës shqiptare.
“Ne po mblidhemi se kemi vajtur ku nuk mban më ujë pilafi. Jo për të thënë Rama ik, po Rama na jep lekët. Kanë abuzuar me emrin tonë. Na kanë pezulluar se ra nafta jashtë vendit.”- thanë naftëtarët.
Tashmë punonjësit e kanë humbur besimin, ndërsa paradoksale mbetet deklarata e bërë dje nga ana e qeverisë shqiptare që do të gjobisë bizneset që nuk aplikojnë për pagën e luftës së punonjësve, në një kohë që nuk u jep atë që u ka premtuar naftëtarëve.
https://streamable.com/z6div3