Shpopullimi i vendit është një nga çështjet më shqetësuese të këtyre viteve të fundit, ndërkohë që deri tani nuk është ndërmarrë asnjë nismë nga ana e qeverisë për të frenuar këtë fenomen, por përkundrazi është lehtësuar ardhja e punëtorëve të huaj në vend.
Në një kohë kur çdo ditë publikohen raporte për largimin drastik të të rinjve nga vendi, kryesisht të arsimuar dhe kualifikuar, Kuvendi nxitoi që të vuloste me votë ndryshimet në ligjin për të huajt, duke e bërë më të lehtë mundësinë e tyre për të punuar në Shqipëri.
Sigurisht që kjo hapje e tregut për të huajt, nuk ka si qëllim thithjen e punonjësve me njohuri të larta, por synojnë emigrantët që vijnë nga vendet e varfra të botës së tretë, të cilët janë të gatshëm të punojnë me rroga edhe më të ulëta se sa shqiptarët.
Megjithatë kryeministri Edi Rama nuk e sheh aspak si shqetësim këtë fenomen. Jo më larg se sot teksa ishte në Durrës, kryeministri me një skenar të përgatitur, u shfaq në ERTV nën shoqërimin e zëvendësministres Rovena Voda dhe një sipërmarrësi, duke folur për këtë ligj.
Gjatë shkëmbimit të bisedës midis tyre, gjithë vëmendja u zhvendos tek ligji për të huajt, pasi sipërmarrësi po ankohej se nuk kishte punëtorë që të punonin, dhe aty Rama nxitoi që të theksonte se qeveria e ka lehtësuar këtë tashmë, pasi ka miratuar ligjin për punësimin e të huajve.
Sipërmarrësi: Mungon fuqia puntorike! Ky është problemi kryesorë.
Rama: Duam punë! Duam punë! Kur vjen puna për punë mirë që duan punë shteti, por kur u thua hajde të kualifikohen, jo të gjithë vijnë. Megjithatë ne e kemi kaluar tashmë ligjin për ta lehtësuar maksimalisht sjelljen e fuqisë punëtore nga jashtë, sado absurde të duket por ky është fakti. Këtu tek ne që ankohen të gjithë për punë!
Sipërmarrësi: Unë kam 7 punëtorë, këtë problem e kanë të gjithë subjektet.
Rama sërish vijon që të theksojë se tashmë ky problem është zgjidhur, e gjitha kjo falë qeverisë së tij, jo për gjë por të rinjtë shqiptar sipas tij nuk duan të punojnë sepse duan punë shteti.
Rama: Prandaj ne e kaluam ligjin që ta vijnë punëtorët nga jashtë, nuk kemi çfarë bëjmë tjetër. Sado absurde të duket. Kjo është absurde të vijnë të tjerët nga fundi i botës për punë. Ska punë. Ça di të bësh? Nuk di të bëj asgjë, çfarë di të bësh nuk di të bëj asgjë.
Por që mos të mjaftonte bashkëbisedimi, Rama ‘rastësisht’ takon disa të rinj që po rrinin në kafe dhe e vazhdoi logjikën e mendimit të tij, duke ju thënë të rinjve të punojnë në llaç, dhe përgjigja e tyre ishte jo se kemi mbaruar shkollën.
Rama: Hë mo cuna mirë?
Të rinjtë: Pa punë
Rama: Po ça punësh do ti? Pse nuk shko të punosh në llaç? Çfarë do të punosh ti doganier
I riu: Po kam mbaruar shkollën
Rama: Aaa ke mbaruar shkollën, çfarë ke mbaruar jurist (Qeshin)
Më pas Rama kërkon që problemi i punëtorëve të zgjidhet me urgjencë dhe që po të duan mund të punojnë dhe ato “juristët” që rrinë në kafe”.
“Do të avancojmë me lejen dhe për pak ditë do të vazhdojmë me planet dhe më pas me godinat, por kjo e punëtorëve duhet të zgjidhet me urgjencë, duke kombinuar punëtorët e bashkisë me të huajt dhe pastaj kush të dojë nga këto juristët që rrinë në kafe.”- u shpreh Rama.
(M.Q/Faxweb.al)