Shkatërrojnë rrjetin elektrik duke vjedhur disa herë kabllo elektrike, Policia vë në pranga autorët.
Specialistët e hetimit të krimit pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të kryera në qytet, kanë bërë dokumentimin e disa ngjarjeve, ku së fundmi ka rezultuar se mëngjesin e djeshëm, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, janë vjedhur disa metra kabllo elektrike në kabinën elektrike të OSHE-së dhe janë dëmtuar instalimet elektrike.
Menjëherë pas hetimeve intensive, u bë identifikimi i autorëve nga Policia dhe kapja e arrestimi i tyre, konkretisht:
- F. J., 37 vjeç, banues në Vlorë (i dënuar më parë për vjedhje dhe prodhim e shitje narkotikësh).
- E. S., 27 vjeç, me banim në Vlorë (i dënuar më parë për vjedhje).
Gjithashtu, në vijim të veprimeve të mëtejshme Policia ka zbuluar se shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 4 vjedhjeve dhe dëmtimeve të kabinave elektrike në qytetin e Vlorës, konkretisht si më poshtë:
- Më datë 12.01.2019, në kabinën elektrike të lagjes “Hajro Çakërri” dyshohet se kanë vjedhur një pjesë të kabllos elektrike.
- Më datë 13.09.2019, në një kabinë elektrike të lagjes “Kushtrimi” dyshohet se kanë vjedhur 16 m kabllo elektrike.
- Më datë 18.11.2019, në kabinën elektrike pranë “Halim Xhelos”, dyshohet se kanë vjedhur 5 m kabllo elektrike.
- Më datë 25.11.2019, në kabinën elektrike të lagjes “11 Janari”, dyshohet se kanë vjedhur 6 m kabllo elektrike.
Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tyre, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”, të kryera në bashkëpunim.