Detaje të reja kanë dalë lidhur me atentatin ndaj Saimir Taullaut në Lushnjë pranë rrethrrotullimit të Plygut.
Burime për ‘Fax News’ bëjnë me dije se Taullau në momentin e atentatit ishte ulur në stol jashtë lokalit dhe ka tentuar të futet brenda.
Paraprakisht dyshohet se ndaj tij është qëlluar 5 herë, por 47-vjeçari është plagosur lehtë dhe ndodhte në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë për ngjarjen.
“Në datën 24.11.2018, në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit S.T, 47 vjeç, banues në Lushnje.
Për pasojë ka mbetur i plagosur lehtë shtetasi S.T i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në hyrje-daljet e qytetit janë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar”.
Vrasja e Baki Taullaut
Saimir Taullau nuk është një emër i panjohur, pasi është i njohur rivaliteti i tij me bandën e Aldo Bares.
Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.
Taullau akuzon bandën e Aldo Bares për vrasjen e vëllait të tij, Baki Taullau në vitin 2005.
I akuzuari si anëtar i bandës së Lushnjes, Leonard Prifti, duket se ka shfrytëzuar situatën e rrëmujshme që sundonte në qytet për të marrë hak për konflikte të vjetra, vret vëllain e Saimir Taullaut, Baki Taullau.
Ai hapi zjarr mes turmës ku shumë simpatizantë të PD-SË ishin mbledhur për të festuar FITOREN E Partisë Demokratike. Ngjarja kishte ndodhur pasi kishin përfunduar zgjedhjet parlamentare.
Pas vrasjes ai tentoi të largohet menjëherë prej vendit të ngjarjes, por kanë qenë të afërmit e viktimës ata që nuk e kanë lënë. Familjarët e Taullaut ishin kundërpërgjigjur në mënyrë të menjëhershme, duke eliminuar njërin prej personave më të kërkuar në vend, Priftin.
Lidhja me Laert Haxhiun
Prej muajsh policia e Lushnjes është vënë në ndjekje të dy shumëkërkuarve Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili të cilët akuzohen se janë përfshirë ne vrasje, plagosje, vjedhje, trafik droge si dhe autorë te masakrës së ndodhur ne 11 shtatorit 2017 në Lushnje, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi. Haxhiu është akuzuar dhe si autor i vrasjes së 29 vjeçarit Gerti Lala.
Ngjarja ku i riu që njihej me nofkën “Iriqi” mbeti i vrarë, ndodhi më 8 korrik të vitit 2010.
Për këtë krim, Laert Haxhiu u dënua me 32 vjet burg, por me vendim të Gjykatës së Apelit ai u lirua pas tri vitesh. Lirimi i tij u argumentua me mungesën e provave.
Pasi doli nga burgu në fund të 2014-s, ai u arrestua sërish në qershor të vitit 2015 në Durrës, për trafik heroine, gjatë operacionit të koduar “Smart”, ku u sekuestrua një sasi prej 1.2 kg heroinë.
Gjatë operacionit për arrestimin e tij, Laert Haxhiu tentoi të arratisej dhe u hodh nga një mur i lartë 4 metra, ku theu këmbën.
Gjykata e Durrësit e dënoi Haxhiun për moskallëzim krimi, duke dhënë 17 muaj burgim për të, pavarësisht se Prokuroria e Durrësit kërkoi dënimin e tij me 8 vite burg si i përfshirë në trafik droge.
Haxhiu rezulton se ishte shoku i ngushtë i Saimir Taullaut. Në vitin 2005, vëllai i Saimir Taullaut, Baki Taullau, është ekzekutuar me armë zjarri.
Familja Taullau njihet për konfliktin e hapur me bandën e Aldo Bares dhe akuzuar pjestarët e kesaj bande për vrasjen e tij në vitin 2005. Babai i Xhulios, Ramadan Shkurti, u ekzekutua në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ndërkaq, bashkëpunëtori i Haxhiut në vrasjet Lushnjë në 2017, Orges Bilbili, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike. Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili. Bashkë me dy të plagosurit ka qenë edhe Zamir Latifi, i cili asokohe nuk pësoi plagë.
(B.H/Faxweb)