Pas konfirmimit të 6 rasteve me koronavirus në vendin tonë janë shtuar masat për parandalimin e këtij virusi, i cili ka alarmuar gjithë botën.
Po megjithëse janë mbyllur shkollat, janë rralluar udhëtimet me urban, qytetarët e Shqipërisë në mbarë vendin duket se janë të pashqetësuar nga përhapja e këtij virusi, që ka future në karantinë gjithë shtetin tonë fqinj Italinë.
Nga një vrojtim me kamaren e Fax News, gazetarët në rrethe raportojnë se qytetarët dalin lirisht në kafe ndërkohë që nuk marrin asnjë masë për të parandaluar përhapjen e këtij virusi vdekjeprurës.
Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manstirliu, urdhëroi dje që të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga zonat me rrezikshmëri të lartë nga koronavirusi COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore. Urdhri i nxjerrë dje, pas dy rasteve të para në Shqipëri, synon parandalimin e përhapjes së virusit, ndaj ministrja e Shëndetësisë paralajmëron edhe gjobë deri në 1 milion lekë të vjetër, për ata të cilët thyejnë urdhrin.
“Të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që vijnë nga zona e izoluar në Itali, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesave të tyre si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-2019.
Strukturat shëndetësore sigurojnë mbikëqyrjen e vazhdueshme të të gjithë personave të identifikuar si persona që kanë hyrë në vendin tonë nga zona e izoluar në Itali. Moszbatimi i këtij urdhri nga personat që hyjnë në Shqipëri nga zona e izoluar në Itali është i dënueshëm sipas dispozitave të nenit 35 të Ligjit nr 15/ 2016, ‘Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive’, thuhet në urdhrin e Ministrisë së shëndetësisë.
Ndërkaq, ligji për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve parashikon gjobë deri në 1 milion lekë për mosrespektuesit e ligjit.
“Mosraportimi i sëmundjeve infektive, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 5 të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën 100 000 lekë. Refuzimi për vendosjen nën mbikëqyrje shëndetësore, sipas përcaktimeve të pikës 1 të nenit 17, dënohet me 5 000 (pesë mijë) lekë, për personin objekt i mbikëqyrjes shëndetësore, dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për punëdhënësin e personit objekt i mbikëqyrjes shëndetësore, moszbatimi i kalendarit të vaksinimit të detyrueshëm, mosregjistrimi i personave që duhen vaksinuar, mosmbajtja në kushte i ‘zinxhirit të ftohtë’ të vaksinave, korrigjimi i dokumenteve të vaksinimit, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dënohen me gjobë nga 100 000″, sanksionohet në ligjin për parandalimin e infeksioneve.
(M.Q/Faxweb.al)
Discussion about this post