E plagosura gjatë shkëmbimit të zjarrit ditën e djeshme ka folur për Fax News nga Spitali ku ndodhet e shtruar teksa e pësoi kur policia ndaloi dhe hapi zjarr ndaj Orgest Bilbilit.
Ajo tregon se kishte dalë për të blerë ushqime në oraret e lejuara dhe po priste në radhë kur nisi konfrontimi mes policit të “Shqiponjave” dhe Bilbilit.
Ajo tha se pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, e kanë kapur dy plumba një në krah dhe tjetri në këmbë teksa dhimbjet që ka ndjerë i quan të pakrahasueshme.
“Po merrja ushqimet e fundit që do I dërgoja në shtëpi. Kisha dalë nga shtëpia, se kisha orarin për të bërë pazarin, për të blerë ushqimet e shtëpisë, se kam dy pleq në shtëpi. Isha duke mbajtur radhën, se kishte radhë market. Në momentet kur po prisja jashtë, nga cepi i marketit, te një rrugicë, u dëgjua një si kapsollë dhe s’i vura veshin, se nuk ma mori mendja të ndodhte diçka e tillë në mes të ditës.Si duket polici qëlloi në ajër, normalisht. Në momentin që pashë se dolën nga rrugica dy vetë, njëri me të zeza, tjetri nga pas që gjurmonte me vrap, u vura në siklet dhe u mundova të futesha te dyqani, por nuk futesha dot, se kishte shumë njerëz. E dija se aty isha më afër dhe do më kapte më keq. Mu ngjitur me marketin është një mur i vogël dhe thashë të fshihem aty, murë shkolle, se mbase s’më kap. Në ato momente, djalit i bie pistoleta në tokë, unë ktheva kurrizin dhe u pengova me një zotëri, kur më qëlloi, por nuk e pashë kush më qëlloi. Një plumb e kam te këmba, që ka dhe gjakderdhje, te këmba mbrapa kofshës, një edhe pas krahut, që thonë, ka kaluar shkarazi. Ndërsa në këmbë më thonë që vijon të jetë plumbi. Unë kam shumë dhimbje, jam e shqetësuar, nuk I përshkruaj dot ato lloj dhimbjesh e djegiesh gjithandej. Më lidhën këmbën me qese me gjëra, ai burri I dyqanit më ka ndihmuar shumë, pashë veten në tokë dhe nuk kuptova asgjë tjetër. E pashë vetne në spital. Tani më dhemb këmba shpresoj që do të kalojë. Mbaj mend që pashë atë djelin në tokë, më ka dërguar makina e policisë në spital”.