Fax News mëson detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi gjatë natës në Burrel, ku një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e punonjësit të SHISH-it Alfred Karaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që Karaj së bashku me familjen e tij nuk ishin në shtëpi, pasi ishin në kryeqytet, te disa të afërm të tyre.
Si pasojë e shpërthimit që ndodhi në katin e parë të një pallati kanë pësuar dëmtime të shumta dhe banesat e tjera, ndërkohë që ngjarja ka shkaktuar panik te të gjithë komshinjtë dhe banorët e pallatit disa katësh.
Fatmirësisht nga shpërthimi në Burrel nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale të konsiderueshme, ndërkohë që sasia e tritolit dyshohet se ka qenë mjaft e madhe, dhe është vendosur në pragun e shtëpisë.
Dëme të konsiderueshme ka dhe në banesat e tjera, të cilave u janë thyer dyert dhe dritaret. Gazetari i Fax Neës Enver Doçi thotë se në vendin ku ndodhej banesa e Karajt nuk ka kamera sigurie, që mund të identifikojnë autorin që vendosi tritolin në pragun e banesës.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, po kryen hetimet në bashkëpunim me prokurorin e rrethit. Ngjarja dyshohet se lidhet me punën që bën kryefamiljari Karaj, dhe në momentin që flasim kjo është pista kryesore e hetimit.
Vetë punonjësi i SHISH i kontaktuar nga gazetari Doçi nuk ka dhënë asnjë koment për ngjarjen, duke ia lënë zbardhjen e saj organeve të drejtësisë.
Banorët e zonës thonë se Karaj dhe familja e tij ishin të respektuar, dhe nuk kishin pasur asnjë konflikt me persona të tjerë në zonë.
(E.K/Faxweb.al)