Pas bërjes publik të lajmit për humbjen e vulës 400-vjeçare, me rëndësi historike, Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit ka folur për “Panorama”.
Sipas ish-drejtoreshës së Arkivës së Shtetit Nevila Nika, kjo vulë ka një vlerë të madhe, jo vetëm për shkak të moshës së saj por dhe për prejardhjen e saj.
Ndërkohë që sipas Arkivës së Shtetit hetimet kanë nisur dhe deri më tani janë shoqëruar 15 persona të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre.
“Vula është pjesë e një fermani të veçantë, të Sulltanit në gjuhën greke. Fermani i jep të drejtën e pronave Manastirit të Kamenës. Ndryshe nga vulat e tjera që kanë qenë prej dylli, kjo vulë është në material metalik, prej plumbi”, shprehet zonja Nika.
Sipas saj, ky ferman, bashkë me vulën e tij, kanë qenë të ekspozuara me rastin e 50-vjetorit të Arkivës së Shtetit në Muzeun Kombëtar dhe ka qenë i përfshirë dhe në katalogun e Mesjetës dhe Rilindjes së Arkivës së Shtetit.
“Është një ngjarje e turpshme dhe e frikshme njëkohësisht që në vitin 2019, kur mendohet se masat e sigurisë janë më të larta dhe më të garantuara, të vidhen në Arkivin e Shtetit objekte të një rëndësie të tillë”, u shpreh Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit.
Manastiri i Kamenës gjendet midis Delvinës dhe fshatit Kakodhiq, në jug të Shqipërisë. Kisha e manastirit i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses” dhe kremton më 15 gusht. Kisha e manastirit është ndërtuar në vitin 1580.
Në vulën e manastirit kemi këtë mbishkrim: “1032, Fjetja e së Mbishenjtës Hyjlindëses së Kamenos, pranë Delvinës”. Ky mbishkrim gjendej rreth një vule metalike me gjithë skenën e Fjetjes së Shën Marisë.