Kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani foli këtë të mërkurë për taksën 100% ndaj mallrave serbe.
Në takimin që zhvilloi me ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, kryeparlamentarja tha se për të hequr këtë tarifë, Serbia duhet të mbyllë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës përmes metodave ilegale. Sipas saj, kjo është aryeja pse është minuar dialogu Prishtinë-Beograd.
“Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në kuvend më 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë se siç e kemi thënë se tarifa të zëvendësohet me masat e reciprocitetit. Relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohen në këtë parim, të cilin e aplikon çdo shtet demokratik. Për t’u larguar kjo tarifë, siç edhe e ka thënë ambasadori amerikan, Grenell, Serbia duhet ta ndërpresë fushatën e çnjohjeve, që po bën përmes metodave ilegale, që e ka minuar rëndësinë e dialogut. Ne s’kemi qenë pengesë për dialogun, pra do të punojmë me deputetë të opozitës që të kenë transparencë të plotë në këtë proces, atëherë mund të presimin që të kemi sukses në proces”, tha Vjosa Osmani.
Po ashtu, Osmani njoftoi se ka falënderuar Heldt për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës.