EcoAlbania ka kërkuar një takim me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar mbi fatin e Lumit Vjosa dhe statusit që do të marrë.
EcoAlbania thotë se statusi Zonë e Mbrojtur nuk mjafton dhe se lumi Vjosa dhe degët e tij në të gjithë gjatësinë duhet të shpallet Park Kombëtar, sepse kjo është e vetmja kategori e mbrojtjes që ndërthur mbrojtjen e natyrës, rekreacionin dhe edukimin në mënyrën më të mirë.
Ndër të tjera, EcoAlbania nuk bie dakord me Kryeministrin Rama mbi deklaratën e tij në një televizion, ku tha se Vjosa tashmë është një Zonë e Mbrojtur dhe se një Park Kombëtar nuk është kategoria e duhur e mbrojtjes, sepse do të pengonte aktivitetin agroturistik në zonë. Nisur nga ky reagim publik EcoAlbania i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Rama ku saktëson pse lumi Vjosa duhet të shpallet Park Kombëtar dhe pse kjo është kategoria e duhur e ruajtjes.
Pjese e letres:
Në Shkurt 2021 ne, EcoAlbania së bashku me 20 OJQ brenda vendit paraqitëm zyrtarisht kërkesën dhe propozimin tonë për shpalljen e lumit Vjosa dhe degëve të tij si një Park Kombëtar në të gjithë gjatësinë e tij. Paralelisht ne jemi informuar se IUCN, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, gjithashtu ka publikuar një studim që përcakton mbrojtjen e luginës së Vjosës si Park Kombëtar. Parku Kombëtar dhe ekoturizmi Lidhur me shqetësimet Tuaja se lugina e Vjosës nuk mund të jetë Park Kombëtar, sepse do të parandalonte zhvillimin e agroturizmit, me kënaqësi do T’JU ftonim të merrni në konsideratë studimin e IUCN në këtë drejtim. Udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare përfshijnë edukimin dhe rekreacionin e vizitorëve (ekoturizmin) si një komponent të rëndësishëm të menaxhimit të Parkut Kombëtar. Në fakt, Parku Kombëtar është e vetmja kategori e mbrojtjes që ndërthur mbrojtjen e natyrës, rekreacionin dhe edukimin në mënyrën më të mirë. Në kundërshtim me deklaratën tuaj, opsioni e Parkut Kombëtar është një tërheqje shtesë për turistët, një markë e veçantë e turizmit. Në rastin e Vjosës, kjo do të ishte edhe më e vërtetë, kur flitet për Parkun Kombëtar të parë të një lumi të Egër të Evropës. Për më tepër tashmë ka shumë shembuj të mirë të Parqeve Kombëtare të ngjashme në rajon si: • Slloveni: Parku Kombëtar Triglav (lumi Soča): mbi 2,5 milion vizitorë në vit me më shumë se 5 milion € të ardhura për bizneset lokale. • Kroaci: Parku Kombëtar Krka: Mbi 1,3 milion vizitorë në vit • Maqedonia Veriore: Parku Kombëtar i Mavrovës pret më shumë se 3% të turistëve në të gjithë vendin çdo vit • Austri: Parku Kombëtar i Danubit, mbi 1,5 milion vizitorë në vit Prandaj, përcaktimi i Vjosës dhe degëve të saj si Park Kombëtar, do të tërhiqte ekoturizmin dhe do të gjeneronte të ardhura të konsiderueshme për njerëzit dhe bizneset lokalë në atë zonë. Për më tepër, ai do t’i siguronte një rajoni të tërë – dhe mbase gjithë vendit – një vizion të ri dhe pozitiv. Duke marrë parasysh sa më sipër, ne do të dëshironim të theksonim se regjimi më i përshtatshëm i mbrojtjes për Vjosën nuk do të ishte asgjë tjetër përveç Parkut Kombëtar (Kategoria II) sepse: 1. Siguron ruajtjen afatgjatë të integritetit natyror, biodiversitetit dhe proceseve natyrore të një ekosistemi kaq të gjerë, të larmishëm dhe të gjallë 2. Përfaqëson opsionin më të mirë për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin rajonal përmes një truizmi të qëndrueshëm bazuar në natyrë, kulturë dhe bujqësi.
(E.H/Faxweb.al)