Partia Demokratike dega Vlorë ka reaguar me një deklaratë në lidhje me situatën pandemike dhe masat që janë marrë në këtë qytet nga kreu i Bashkisë Vlorë Dritan Leli.
Demokratët e akuzojnë kreun e Vlorës për braktisje të detyrës në këtë situate kritike që po kalon qyteti duke thënë se kaq qenë i papërgjegjshëm si dhe i ka shpërdoruar fondet në shpenzime luksi në vend që të ndihmonte të varfërit.
Deklarata e plotë
“Partia Demokratike e Vlorës denoncon papërgjegjshmërinë e shfaqur nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës përsa i përket menaxhimit të krizës së krijuar në qytet nga pasojat e COVID 19. Në kushtet e një izolimi total, në vend që të angazhohej me menaxhimin e krizës që po përjetojnë qindra e qindra familje në Bashkinë Vlorë, Kryetari i Bashkisë ka treguar Paaftësi dhe Moskompetencë në kryerjen e detyrës.
Partia Demokratike denoncon publikisht braktisjen e detyrës nga Kryetari i Bashkisë, si në përballimin e problematikave të qytetit ashtu edhe në menaxhimin e zgjidhjes së nevojave për ndihmë në ushqime të qindra familjeve.
Në vend që Fondet e Bashkisë dhe të donatorëve të ndryshëm të shkojnë në ndihmë të familjeve që vuajnë për bukën e gojës, Kryetari i Bashkisë po i përdor ato për të paguar koncerte, “vepra arti” dhe ata që i shkojnë nga mbrapa. Pas fasadës, imazhit të rremë që po përpiqet të krijojë “imazheristi”, është një Vlorë e zhytur në skamje e mjerim! Partia Demokratike e Vlorës ju bën Thirrje Qytetare të gjithë Qytetarëve, Bizneseve dhe Grupeve të Ndryshme të Interesit, që të ushtrojnë presionin e nevojshëm për ndryshimin e situatës dhe të denoncojnë çdo papërgjegjshmëri të Hallit më të madh që i ka rënë Qytetit me këtë “Njeri”!