Gjykata e Shkodrës cakton masën arrest në burg për autorin e dyshuar të vrasjes së Ramazan Mataj në fshatin Dragoç, Arjon Hasaj dhe vëllain i tij Klismani.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 janar të këtij viti dhe ka shkaktuar trazira dhe shqetësim në komunitetin lokal.
Gjatë seancës gjyqësore për vrasjen e Ramazan Mataj, asnjë nga vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj nuk ka dëshmuar. Asnjë familjar i tyre nuk ka qenë i pranishëm jashtë sallës së gjyqit, pasi ata janë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes, një situatë që ndikon në lirinë e lëvizjes së familjarëve të dyshuarve.
Prokuroria ka paraqitur prova të forta gjatë seancës, përfshirë gjurmët balistike, të cilat tregojnë se gezhojat e gjetura në vendngjarje përputhen me armën e gjetur të groposur pranë banesës së familjes Hasaj. Ky fakt e forcon akuzën për vrasjen e Ramazan Mataj, duke vërtetuar lidhjen e armës me ngjarjen.
Pala mbrojtëse kërkoi që për Klisman Hasaj të jepet masa arresti shtëpie, duke argumentuar se ai nuk kishte marrë pjesë në atentat, por kërkesa u kundërshtua nga gjyqtarja Irida Barkaj. Ajo vendosi të mbajë masën e arrestit me burg për të dy vëllezërit Hasaj, duke konsideruar se nuk ishin plotësuar kushtet për një ndryshim të masës së sigurisë.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 40 minuta, pa zhvillime të mëtejshme publike.
Arjon Hasaj, 29 vjeç, dhe vëllai i tij Klisman Hasaj janë të akuzuar për vrasjen e Ramazan Mataj, një ngjarje tragjike që ndodhi më 5 janar të këtij viti. Vrasja u krye pas një historie dashurie të ndaluar mes Ramazan Mataj dhe një vajze të fshatit Dragoç, që kishte çuar në një konflikt të madh brenda familjes së vajzës, përfshirë edhe vëllain e saj të madh, i cili e kishte kundërshtuar lidhjen.
Për shkak të kësaj dashurie, vajza ishte martuar dy herë, por martesa e saj ishte prishur, dhe ky konflikt kishte ndikuar thellësisht në marrëdhëniet brenda familjes. Më pas, nën ndikimin e mllefit dhe mentalitetit të rrethit miqësor, Arjoni, i nxitur nga vëllai i madh i vajzës dhe duke menduar se kishte arritur momentin për hakmarrje, hartoi një plan për të vrarë Ramazan Mataj.
Ai krijoi një profil fals në rrjetet sociale dhe u shtir si një vajzë që kishte ardhur në fshat tek tezja e saj. Kështu, ai e ftoi Ramazan Mataj në një takim, ku e vrau me një breshëri kallashnikovi brenda makinës. Pas ngjarjes, Arjoni u arrestua bashkë me vëllain e tij Klisman, i cili dyshohet se e ndihmoi të fshehë armën e krimit.