Ankandi i obligacioneve 10-vjeçare që u zhvillua të hënën konfirmoi sinjalet në rritje të yield-eve të titujve afatgjatë të qeverisë, në vijim të një tendence të shfaqur që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar i obligacioneve 10-vjeçare arriti në 6.78%. Yield-i i obligacioneve është në rritje krahasuar me nivelin 6.44% në rihapjen e ankandit të fundit të këtyre instrumenteve, që ishte zhvilluar në tetor të vitit të kaluar.
Rritja e yield-it megjithatë pjesërisht u ndikua edhe nga vendimi i Ministrisë së Financave për të rritur shumën e planifikuar të emetimit. Nga 4 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.77 miliardë lekëve.
Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e kërkesave të pranuar në 4.15 miliardë lekë. Në ankandet e obligacioneve, yield-i përcaktohet si uniform me yield-in e këkesës më të lartë të pranuar. Në këtë mënyrë, pranimi i më shumë kërkesave ndikon edhe në rritjen e yield-it të obligacionit.
Yield-et e instrumenteve afatgjata të borxhit të qeverisë shqiptare kanë dhënë sinjale të një cikli të ri rritjeje veçanërisht pas vjeshtës së vitit të kaluar. Kjo rritje nuk është e krahasueshme me atë që preku tregun në pjesën e dytë të vitit 2022 dhe që u nxit nga rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.
Megjithatë, rritja e yield-eve të borxhit afatgjatë në vetvete nënkupton pritshmëri për një lëvizje të mëtejshme në rritje të normave të interesit nga banka qendrore.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë e frenoi ndjeshëm rritjen e normave të interesit dhe aplikoi gjithsej vetëm dy rritje, në total me 0.5 pikë përqindje.
Norma bazë prej 3.25% është ndër më të ulëtat në Europë. Zbutja e Bankës së Shqipërisë u argumentua me efektin amortizues në inflacion që dha forcimi i Lekut në kursin e këmbimit, por edhe me tiparet shtrënguese të politikës fiskale.
Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë paralajmëroi se ulja e inflacionit në objektiv, që pritet të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij viti, mund të kërkojë rritje të mëtejshme të normave të interesit. Inflacioni e frenoi rënien në nivelin 3.8% në tetor të vitit të kaluar, ndërsa në nëntor dhe dhjetor u rrit lehtë deri në 4%.
Rreziqet rreth rritjes së çmimeve ngelen të larta, për shkak të tensioneve gjeopolitike në Europën Lindore dhe Lindjen e Mesme. Ndërkohë, paralelisht ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me presione inflacioniste nga tregu i punës, që vitin e kaluar u karakterizua nga nivele të ulëta papunësie dhe rritje dyshifrore e pagave. Në këto kushte, duket e vështirë që cikli rritës i normave të interesit të përfundojë në nivelin aktual, prej 3.25%.
Edhe tregjet duket se kanë një pritshmëri për rritje të mëtejshme të normave, çka në një masë të madhe shpjegon rritjen e yield-eve të obligacioneve.
Instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare në fakt ofrojnë kthime të kënaqshme në raport me riskun dhe shumë investitorë, përfshi ata individualë, u treguan të ndjeshëm ndaj yield-eve të larta të tyre, sidomos me fundit të vitit 2022 dhe fillimit të vitit 2023./ MONITOR
Discussion about this post