Ylber Ramadani do të prezantohet shumë shpejt si futbollisti më i ri i Leçes, duke i dhënë fund të gjitha dilemave për të ardhmen e tij.
Klubi i Serisë A ka gjetur më në fund akordin me Aberdinin skocez, për të siguruar transferimin e futbollistit të Kombëtares shqiptare.
Leçe kishte gjetur akordin prej kohësh me futbollistin, por jo me klubin skocez, i cili kishte refuzuar dy oferta të mëparshme për të, prej 1 dhe 1,3 milionë eurosh.
Sipas “Sky Sport”, akordi është gjetur sot dhe Ramadani është nisur drejt Italisë.
Marrëveshja parashikon pagesën e 1,2 milionë eurove në arkat e klubit të Aberdin, që ruan edhe të drejtën e 10% të vlerës së kartonit në një shitje të mundshme nga Leçe në të ardhmen.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se vizitat mjekësore të lojtarit janë caktuar për ditën e nesërme dhe më pas pritet të hidhet firma në kontratën e re me klubin italian, duke nisur një etapë të rëndësishme të karrierës në një nga kampionatet më të forta në Europë.