Kryeministri Zoran Zaev pret që këtë javë të mbyllet çështja për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në konferencën e përbashkët për shtyp në Qeveri me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të BeH-së Denis Zvizdiq, Zaev tha se debati për këtë çështje është i hapur tashmë prej nëntë muajsh dhe duhet që sa më shpejt të mbyllet.
“Të gjithë thanë gjithçka që patën, ndërsa pati edhe kohë të mjaftueshme për dialog. Ligji përfundimisht duhet të miratohet konform Kushtetutës dhe ligjeve. Me këtë do të mbyllet aspekti i fundit legalistik nga Marrëveshja e Ohrit. Të lëmë le të realizohet, le të ketë implementim të vetin dhe do të shohim se nuk është diçka e dhimbshme, e vështirë apo tragjike, por është diçka që do të mundësojë të kuptohemi më lehtë me njëri-tjetrin”, tha Zaev.
Për porosinë e liderit të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski se partia e tij do të japë mbështetje për planet reformuese të LSDM-së nëse ligji për gjuhët tërhiqet nga procedura kuvendore, Zaev vlerësoi se bëhet fjalë për “kopi pejst” nga deklaratat e ish liderit të partisë Nikolla Gruevski, shkruan Alsat.mk