Zbardhet dëshmia e italianit që denoncoi ish-deputetin Eduard Ndocajn ku përfshihet edhe emri i kryeministrit Edi Rama.
”Fax News” zbardh dëshminë e italianit, i cili ka kallëzuar se kaubojsi, kur ka qenë deputet, ka takuar një italian në Milano dhe i ka premtuar që do ta ndihmojë për të fituar tenderin për shtrimin e tubave të TAP-it.
Për këtë gjë, sipas kallëzimit, ish-deputeti me nofkën ”Kaubojsi” ka kërkuar 50 mijë euro, të cilat italiani thotë që ia ka dhënë 2 herë nga 25 mijë euro. Por, duke qenë se nuk është bërë fare tender i tillë, italiani ndihet i mashtruar dhe ka bërë kallëzim.
Italiani thotë në kallëzim që, me ndërmjetësimin e ”Kaubojsit”, kam takuar Edi Ramën dhe i kam përmendur tenderin e tubave të TAP-it. Rama i ka thënë që ”nuk merrem me këto pune, por komuniko me Ministrinë e Energjitikës”. Ministër i Energjetikës, për kohën kur flitet ka qenë Damian Gjiknuri ( i cili vazhdon të jetë).
Kjo dëshmi e fortë flet për projektin e gazsjellësit TAP, ndërsa dihet historia e përplasjeve dhe miqësive mes Eduard Ndocajt dhe Edi Ramës. Ndocaj ka denoncuar vite më parë darkat mijëra-euroshe që i paguante Ramës në Itali.
Ditën e djeshme u raportua fillimisht për arrestim të Ndocajt e më pas procedim në gjendje të lirë për mashtrimin e italianit.
“Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian nje shume eurosh. Ne perfundim te veprimeve te kryera nga D.V.P Lezhe ndaj shtetasit E.N u referuan materialet ne Prokurori dhe ndiqet ne gjendje te lire per vepren penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”, thuhej në njoftim.
Por menjëherë ish-deputeti tha se lajmi është i pavërtetë dhe se media duhet të bëjë verifikime për lajme të tilla, duke kërkuar përgënjeshtrim.
“Nuk ka asnjë ndalese apo arrëst për ish deputetin Eduart Ndocaj. Kjo foto është live nga trageti që po udhëton drejt Italisë. Sa i përket çështjesh në fjalë së shpejti do të publikojmë një deklaratë nga avokati i tij në Shqipëri. Mediat është mirë të bëjnë verfikime para se të nxjerrin lajmin. Kjo është ABC e gazetarisë serioze”, shkruhej në faqen zyrtare të Ndocajt.
Sot avokati i Ndocajt Jordan Daci pranoi ngjarjen, ndërsa tha se kjo është një ngjarje e lindur nga asgjëja, pasi italiani sipas tij vuan nga Alzheimeri.
A ka ndërhyrë Ndocaj te Rama për të fituar tenderin?!
(V.G/SHUPLAKA)
Discussion about this post