Pak para nisjes së seancës për të arrestuarit e protestës së Astirit, është zbardhur dhe kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për të gjithë personat e shoqëruar, si dhe dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve në protestë.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, për shtetasit Fluturim Goleci, Ruzhdi Daci, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Amarildo Sinanaj dhe Shpati Bilbilaj, është kërkuar arrest me burg. Ndërkohë që për personat e tjerë të shoqëruar është kërkuar masa ‘’detyrim paqraqitjeje”.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike, e kryer në bashkëpunim”.
Po ashtu në kërkesën e prokurorisë thuhet se efektivja Nuka ka humbur vetëm një prej gishtave të dorës së djathtë, jo katër, siç është raportuar me ngulm nga ana e përfaqësuesve të qeverisë, dhe mediave pranë tyre.
Po ashtu vetë efektivja ka treguar se kapsollja i ka rënë fillimisht në pjesën e qafës, dhe në tentativë për ta hequr prej aty ka marrë dëmtime dhe në duar.
“Gjate kqyerjes se vendit te ngjarjes ne siperfaqen e e shtruar me beton jane gjetur dhe sekuestruar ne cilesine e proves materiale 4 kapsolla me ngjyre te kuqe te pa plasur,6 kapsolla me ngjyre te kuqe dhe te zeze te plasura,12 bidona me mbishkrime te subjekeve qe i tregetojne, 1 kapak stilografi ngjyre blu, tabela me mbishkrime, dy shkopinje druri, dy copa perde me mbishkrime. Eshte bere vendimi i ekspertimit daktiloskopik vleresues te shisheve plastike objekte ekspertimi si dhe eshte bere vendimi i ekspertimit kimik te kater kapsollave te pa plasura”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
(E.K/FAXWEB.AL)