Dy persona të akuzuar për planifikim sulmi në një ndeshje futbolli ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit në vitin 2016, pranuan të mërkurën fajësinë gjatë procesit gjyqësor në Prishtinë.
Sipas prokurorisë së posaçme të Kosovës, Kenan Plakaj kishte prodhuar mjete shpërthyese, kurse Besart Pecit i janë gjetur armë automatike dhe rreth 90 fishekë.
Më herët fajësinë e kishte pranuar i akuzuari Arton Ahmeti. Të tre këta janë pjesë e grupit prej 9 personash ndaj të cilëve në prill të këtij viti ishte ngritur aktakuzë, nën dyshimet për planifikim të sulmeve terroriste në nëntor të vitit të kaluar gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, arrestoi 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti islamik dhe planifikim sulmi në Shqipëri por edhe në Kosovë.
Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.
Sipas aktakuzës, katër nga të akuzuarit “me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste, ashtu që pasi që i njëjti përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., me anë të internetit – aplikacionit Telegram, këtij të pandehurit i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016”
Në akuzë thuhet se dy të pandehur, “gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.
Në pranverën e këtij viti, familjarët dhe autoritetet e policisë thanë se Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri.
Dy nga të akuzuarit ngarkohen për furnizim dhe mbajtje të mjeteve shpërthyese që janë konfiskuar gjatë kontrolleve.Njëri akuzohet se “me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që më 1 nëntor 2013 është nisur nga Aeroporti i Prishtinës dhe ka ateruar në Aeroportin “Sabiha Gokçen” në Stamboll të Turqisë, e pastaj prej Turqisë në mënyrë ilegale ka kaluar në Siri ku i është bashkangjitur grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste Al Nusra, duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate për dy javë, kurse më 17 nëntor 2013 nga Siria përsëri ka kaluar në Turqi dhe përmes Stambollit me aeroplan ka ardhur në Prishtinë”.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme. /VOA/