Një histori e pazakontë është shënuar në kryeqytetin e Tiranës, e cila daton rreth një vit më parë. Një shtetase 17-vjeçare, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të bindur të ëmën ta lejonte të martohej me të dashurin fqinj.
Ajo ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar fqinjin se e kishte përdhunuar. Historia është regjistruar në gusht të vitit 2016-të, kohë kur e mitura, B.Q e shoqëruar nga e ëma ka kallëzuar fqinjin e saj.
Në dëshminë e saj, ajo ka rrëfyer se rreth orës 13:00 të drekës (2 gusht 2016) ajo ka qenë e vetme në shtëpi, kur në dhomë i është futur fqinji i saj, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të me forcë. Por dy ditë më vonë, ajo e ka hedhur poshtë këtë denoncim me pretendimin se donte lejen nënës për tu martuar me fqinjin, sipas një gazete të përditshme. Ajo ka rrëfyer se kishte 5 muaj që ishte lidhur me fqinjin, me të cilin kishte kryer me dëshirë edhe marrëdhënie seksuale.
Me këtë dëshmi, ajo ka shpëtuar të dashurin, por e ka pësuar vetë pasi 17-vjeçarja u akuzua për “dëshmi të rreme”. Më 10 shkurt Gjykata e Tiranës vendosi dënimin e saj me 2 muaj heqje lirie. Por e reja nuk do të shkojë në burg pasi përfundimisht gjykata vendosi lënien e saj në shërbimin e provës, për një periudhë 18-mujore. (XH.A/SHUPLAKA)