Papa Françesku i priti Krishtlindjet me një mesazh: “Zoti i do të gjithë, madje edhe ata më të këqijtë prej nesh”, tha Ati i Shenjtë. Kreu i Kishës Katolike po fliste me mijëra njerëz gjatë Meshës në prag të Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Ju mund të keni ide të gabuara, mund të bëni plot gabime … por Zoti vazhdon t’ju dojë”, tha Papa argjentinas. Kjo do të interpretohet nga disa si një referencë ndaj skandaleve të Kishës, përfshirë abuzimin seksual, thotë BBC.
Më vonë gjatë ditës, Papa do të kthehet në Bazilikën e Shën Pjetrit për të dhënë mesazhin tradicional të asaj që është njëra prej ditëve më të shënuara të kalendarit të krishterë.
Mes njerëzve që morën pjesë në meshë mbrëmjen e djeshme kishte dhe fëmijë të zgjedhur nga vendet përfshirë Venezuelën, Irakun dhe Ugandën.
Ky është një gjest i qartë nga udhëheqësi i 1.3 miliardë katolikëve, i cili shpesh përqendrohet tek gjendja e mërgimtarëve dhe viktimave të luftës, si dhe tek shtrirja e ndikimit të kishës edhe në ato që shihen si “periferi”.