“Zgjedhje me 30 Qershor nuk mund të ketë. Fundin e parashikoj të hidhur, e parashikoj 30 Qershorin në një fund të hidhur sepse kemi pasur edhe në zgjedhje të zakonshme viktima. Dhe këtë mendim e ndërtoj mbi sjelljen e tij (Edi Ramës), të cilit i ka hipur vetja në qejf”. Kjo ishte një deklaratë e bërë mbrëmjen e sotme nga deputeti Lefter Maliqi në studion e emisionit “Natë me Xhaxhiun” në Fax News.
Maliqi shpjegoi edhe arsyen e pjesmarrjes së tij në protestën e thirrur nga opozitë me datë 21 Qershor, ku tha se ai është zëri i vetëm në Parlament kundër mazhorancës duke përdorur si fakt edhe votimin që u bë përpara disa ditësh lidhur me nismën për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.
“Pjesmarrja në protestë ishte vendimi im, është i drejtëpërdrejtë, pasi duke marrë kontakt me elektoratin mësoj se janë të zhgënjyer dhe nuk duan përplasje. Kjo mazhorancë po bën një thirrje për përplasje dhe për një votë të hapur. Po vajte për të votuar është i hapur dhe i kontrolluar sepse kuptohet gjithçka kush shkoi të votojë e kush jo”.
Ndërkohë, lidhur me vendimin e tij për të pranuar mandatin e deputetit, Maliqi tha se nuk është futur për të marrë një pagë, por për të qenë një zë i fortë kundër qeverisë.
“Jam futur në Parlament jo për një pagë por për të qenë një zë i vërtetë, dhe sot jam pothuajse zëri i vetëm kundër qeverisë pasi të tjerët i pamë se si votuan për shkarkimin e Metës. Unë jam për zbatimin e dekretit dhe për zgjedhje të parakohshme. Bashkimi i PD-së me LSI-në, me Çamët dhe me të Drejtat e Njeriut që deri dje ishte me Ramën nuk e sjell kurrë atë në pushtet. Me këtë qeveri prej 6 viteve me këto banda, vjedhje kemi një përkeqësim total të situatës ku e nisën duke i nxirë faqen vendit me mbjelljen e trafikimin e drogës”.
Lidhur me deklaratën e tij se Policia nuk duhej ti bindej ministrit të Brendshëm, Maliqi e shpjegoi me argumentin se nuk duhet të shkohet tek përçarja. Ai tha se nëse do të ketë tentative për përplasje, policia duhet ti shmang, duke shtuar se kjo duhet të ndodhë sidomos në rrethet e vogla të vendit pasi njerëzit njihen me njëri-tjetrin.
“Nuk ka polici që mund të ndalojë një popull të tërë apo ta vendos në gjumë. Kjo është një tentativë e qeverisë por që nuk do t’ia dalë. Data 30 Qershor mund të jetë me dhimbje për disa familje nëse kalorësi nuk tërhiqet, nga ana tjetër nëse kemi reflektim, 1 Korrikun e shikoj si një ditë të bardhë për shqiptarët që i hap rrugën një date të re zgjedhjesh, por do të jetë një datë e hidhur për kalorësin (Edi Ramën). Ditën e diel njerëzit e mi nuk do ti lë në përplasje, por duke qenë me ata unë do të jem edhe si ata, nuk mund ti braktis, le të më arrestojnë edhe mua”.
Maliqi falenderoi edhe kreun e shtetit Ilir Meta për dekretin me të cilin anulloi zgjedhjet e 30 Qershorit duke theksuar se ia la dopio gjashtën në duar Ramës duke treguar sipas tij se, është një nga politikanët që i ka kaluar të gjitha në jetën politike.
Maliqi tha se Parlamenti është ilegjitim me deputetë të pa arsimuar dhe të lidhur me bandat. Ai shtoi se ka deputetë që nuk flasin asgjë në Parlament pasi janë aty për të bërë biznes dhe përfaqësuar bandat.
“Unë mund ta lë mandatin, por duke qenë deputet jam një zë. Pa qenë në këtë pozicion duke qenë zë i jashtëm, askush nuk do të më thërriste. Sot jam një zë kundër qeverisë dhe kjo më ndihmon që këtë zë ta them edhe në Parlament edhe në television”.
Duke iu rikthyer temës për shkarkimin e Metës, Maliqi tha: “Nisma për shkarkimin e tij është anti-kushtetuese, shantazhuese dhe një skenar politik të cilin e zgjidh vetëm Gjykata Kushtetuese. Nëse Rama e shkarkon Metën pavarësisht se ligjërisht është e pamundur, do ta ksihte shumë të vështirë të përballej me të. Zbritja e Ilir Metës në bazë e frikëson Edi Ramën pasi Meta e ka treguar vetën që në 2004 dhe ai vetëm sa është pjekur dhe forcuar politikisht”.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/2312722679045565/
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post