Saida Dollani, Klodian Kurushi, Dhimitër Lara dhe Albana Boksi, janë vetëm 4 nga 13 emrat në total që kanë shfaqur interes deri tani për të qenë pjesë e garës për një karrige në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe asaj të Apelit janë në garë për katër vende vakante, të shpallura që më herët nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë në garë njëkohësisht edhe në fushën e të drejtës administrative dhe atë penale.
Në dokumentin që Fax Neës ka siguruar shihet se në listë është edhe emri i ish-Avokates së Shtetit, Alma Hiçka, e cila pak javë më parë u bë gjyqtare e Gjykatës së Tiranës me vendim të KLGJ-s. Gjykata e Lartë aktualisht është me vetëm tre anëtarë, të cilët janë emëruar në detyrë në fillim të vitit, ndërsa procedurat për ngritjen me kapacitet të Supremes do të marrin kohë edhe shumë muaj, ndoshta edhe vite.
Aktualisht në Gjykatën e Lartë janë gjyqtarë Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, ndërsa prej pak ditësh me vendim gjashtë me katër të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është shkarkuar nga detyra Ardian Dvorani, i cili mbante postin e zëvendëskryetarit të gjykatës. Shkarkimi i Dvoranit erdhi pas interesimit të Presidentit Ilir Meta.
KLGJ nuk vendosi dot pa pyetur partnerët ndëkombëtar, por ishte e detyruar të merrte një vendimmarrje, pas refuzimit të opinionin nga EURALIUS dhe OPDAT, çfarë çoi në largimin e tij nga detyra, shtatë vite pasi mandati i tij kishte përfunduar.
Por, çuditërisht, edhe pse tashmë vendimi për shkarkimin e tij nga detyra është marrë, në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë emri i tij figuron akoma si zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë. Shkarkimin e tij Dvorani e ka cilësuar gafë të KLGJ. Në Gjykatën e Lartë vijon zgjerimi i numrit të dosjeve, ndërsa po shkohet drejt 40 mijë të tilla, të cilat po i mbulon pluhuri. /Sokol Dema-Fax News
Discussion about this post