Të paktën 500 mijë njerëz të bllokuar në qytetin e Mosulit në Irak, nuk kanë më qasje në ujë të rrjedhshëm.
Një nga tre tubacionet më të mëdha është goditur pasi trupat irakiane luftuan me militantë të ISIS-it, në disa pjesë të Mosulit Lindor.
Sipas një njoftimi të UNICEF, tubi i dëmtuar ka mbetur brenda territorit të grupit islamit, ç’ka e bën atë të pamundur për t’u rregulluar.
Zyrtarët e lartë të Irakut kërkojnë një pushim të përkohshëm nga lufta derisa të rregullohen tubacionet, por sipas CNN axhenda e ISIS-it është krejt e kundërt.
Kjo pasi grupi islamik i ka ndërprerë furnizimin me ujë qëllimisht edhe banorëve në zonat e afërta, duke e përdorur ujin e pijshëm si armë.
“Ata (ISIS), kanë prerë energjinë elektrike në stacionet e furnizimit më ujë që ushqejnë disa lagje ku trupat irakiane po përparojnë,”, është shprehur një zyrtar i lartë irakian. “Ata kërkojnë të privojnë njerëzit nga uji i pijshëm. Ata duan të detyrojnë njerëzit të bashkohen me ta dhe t’i përdorin si mburoja njerëzore.”, është shprehur një zyrtar i Irakut.
Qyteti i Mosulit është baza kryesore e ISIS-it në Irak.