Bojkoti i fillimit të Kategorisë Superiore nga ekipet pjesëmarrëse është tashmë një fakt, ku të gjitha ekipet janë në unison me njëri tjetrin për të refuzuar të zbresin në fushën e blertë. Në kuadër të koordinimit të vazhdimësisë së bojkotit Liga Profesioniste e Futbollit, përmes një njoftimi në facebook, ka njoftuar se ditën e nesërme do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme të anëtarëve.
Ky takim pritet të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Air Albania”, pa praninë e mediave dhe në fund të tij do të ketë një qëndrim zyrtat mbi atë çka do të vendoset.
Njoftim për shtyp: Liga Profesioniste e Futbollit do të zhvillojë të shtunën (12.09.2020) në ora 11:00 mbledhjen e Jashtëzakonshme të Anëtarëve, ku do të diskutohet mbi vazhdimësinë e bojkotit pas reagimit të qeverisë dhe qëndrimi që do të mbahet në negociatat me qeverinë.
Në përfundim të mbledhjes, që do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Air Albania”, do të ketë edhe një qëndrim zyrtar për mediat nga Liga e Futbollit.