Për vite me radhë, ai ishte një nga protagonistët më të mëdhenj të Ligës së Kampionëve si futbollist. Tani po përgatitet të përjetojë garën më të madhe të klubeve në kontinent në një rol të ri: atë të trajnerit.
Ndeshja që do ta vendosë Juventusin kundër Dinamo Kiev, të martën në mbrëmje, do të përfaqësojë debutimin europian të Andrea Pirlos si trajner. I zgjedhur nga klubi bardhezi për t’i dhënë jetë një cikli të ri, “maestro”, i intervistuar nga faqja zyrtare e UEFA-s, shpjegoi se si ndihet teksa stërvit shokët e vjetër të skuadrës si Buffon, Chiellini dhe Bonucci:
“Është bukur, ato më ndihmojnë shumë. Ndoshta nuk ishte e lehtë për ta në fillim, por brenda disa orësh e kuptuan që roli im ishte ndryshe nga më parë. Qëndrimi i tyre ndryshoi shpejt dhe lehtë. Menjëherë më thirrën “mister”, së pari me një buzëqeshje, por më pas u mësuan. Ata mund të jenë një ndihmë e madhe, sepse e dinë se çfarë do të thotë të luash për Juven dhe të fitosh. Ne kemi punuar gjithë këto së bashku. Ata e dinë se çfarë fryme dua t’i jap ekipit, kështu që do të jenë shumë të dobishëm këtë sezon”.
Pirlo foli për atë se sa e ndryshme është jeta e trajnerit nga ajo e lojtarit: “Në stol është padyshim më stresuese. Në fushë vendosja se çfarë të bëja me topin; nga stoli vetëm mund të drejtoj, por të tjerët luajnë rolin e tyre. Kësisoji, është pak më e vështirë. Kur luaja kisha një stil të caktuar, mund të merrja pjesë dhe të isha vendimtar në fushë. Tani duhet ta bëj këtë nga stoli”.
Ashtu si Guardiola, Pirlo, gjithashtu, u bë trajner pas një karriere të shkëlqyer si mesfushor: “Pep është një shembull për të gjithë ne, është një nga më të mirët. Shembulli i tij frymëzoi trajnerët e rinj, që dëshironin të promovonin një lloj të caktuar të futbollit sulmues. Secili prej nesh ka idetë e tij dhe dëshiron t’i çojë përpara, por ai është model për të gjithë lëvizjen e futbollit. Më pëlqen stili i tij i lojës; gjithmonë duke sulmuar dhe ndikuar në lojë, në mënyrë që të menaxhojë krejt situatat. Ky duhet të jetë qëllimi ynë për të ardhmen”.
Pirlo shpjegoi se cilët ishin trajnerët, që e frymëzuan më shumë: “Kam pasur fatin të punoj me trajnerë të shkëlqyeshëm. Nga Lucescu, i cili ishte një nga të parët, në Brescia, një mësues autentik, te Lippi, Ancelotti, Conte dhe Allegri. Kam pasur fatin të punoj me disa nga teknikët më të mirë në botë dhe jam i lumtur që e pata këtë mundësi. Do të përpiqem të marr diçka nga secili prej tyre”.
Trajneri i Juventusit pranoi se nuk mendonte se një ditë do të kishte shansin të drejtonte si trajner Cristiano Ronaldo: “Jo, kurrë nuk do ta kisha imagjinuar, por jam i lumtur që kam një futbollist të shkëlqyeshëm si ai në dispozicion. Mrekullohem teksa e shoh si stërvitet dhe luan. Për mua dhe për të gjithë ekipin është një kënaqësi e madhe. Në moshën 35 vjeç, ai punon si një djalë i ri, me të njëjtin pasion dhe dëshirë çdo ditë. Ai është një shembull për të gjithë”.
Pirlo shpjegoi se deri ku mund të shkojë Juventusi në Ligën e Kampionëve: “Champions-i është shumë i vështirë dhe varet nga momentet e vogla, nga detajet. Periudha më e vështirë është rreth marsit, kur disa ekipe ende nuk janë rikuperuar nga pushimi dimëror, ndërsa të tjerët janë tashmë në gjendje të mirë. Ndonjëherë duhet pak fat, mbase edhe një short i favorshëm”.