Analisti shqiptar Ermal Xhelilaj, i ftuar në Fax News ka folur në lidhje me skandalin e publikuar ditët e fundit në lidhje me shfytëzimin e të dhënave të 910 mijë qytetarëve, votues në Tiranë, të dhëna nëpërmjet të cilave po kontaktohen për ti bindur të votojnë për Partinë Socialiste.
Xhelilaj ka thënë se shfrytëzimi i të dhënave të qytetarëve është cënim i të drejtave themelore të njeriut dhe se kjo ndikon në rezultatin e zgjedhjeve.
“Këto akuza janë një skandal i rëndë sepse kanë dalë të dhëna të cilat normalisht ësht një e drejtë kushtetuese e cila i mbron qytetarët , në lidhje me konfidencialitetin, me ruajtjen e të dhënave . Nëqoftëse këto akuza që normalisht kanë baza për tu besuar, dalin të vërteta atëherë kjo mund të konsiderohet një problem shumë i madh i cili ka lidhje direkt me fushatën zgjedhore, pra cënon rëndë parametrat demokratikë, cënon rëndë standartet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e një shteti.” tha Xhelilaj.
Lidhur me pretendimet e kryeministrit Edi Rama se këto të dhëna janë të mbledhura në terren prej vitesh, Xhelilaj ka thënë se numri i lartë prej 910 mijë qytetarësh e bën të besueshme se këto të dhëna janë marrë nga portali e-albania.
“Patjetër që kryeministri do të ketë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje sepse është një situatë tepër delikate dhe tepër problematike, por duhet të kemi parasysh që janë disa platforma dixhitale siç është e-albania, në të cilën qytetarët kanë të drejtë të aplikojnë dhe të fusin të dhënat e tyre dhe ky portal ndodhet nën përdorimin e instancave qeveritare, një shifër kaq e madhe me 910 mijë qytetarë,një numër kaq i madh njerëzish lë shumë për të dëshiruar,” deklaroi ai.
Xhelilaj ka theksuar se në lidhje me këtë çështje duhet të bëhen hetime të hollësishme sepse përbën një shkelje të rëndë të demokracisë.
(V.G/Faxweb.al)